Aktori i njohur hollivudian, Pierce Brosnan, të enjten e kaluar ka festuar ditëlindjen e 71-të dhe katër ditë më vonë në rrjete sociale shkroi mesazhe rreth jetës, mirësisë dhe kohës së vlefshme, ndërsa reflektonte se sa shpejt kalon koha.
“Ditë e re. Faleminderit të gjithëve për fjalët e mira për ditëlindjen time të 71-të, që pata javën e kaluar. Ku po shkon koha? Po shkon me shpejtësinë e flakës. E dua jetën, mirësinë dhe koha e vlefshme çoftë me të gjithë ne. Paqe”, ka shkruar aktori në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, raporton “FemaleFirst”.
Ndërkohë, ylli i filmit “Mamma Mia!” së fundmi ka treguar se ka filluar të pikturojë, e këtë gjë po e shfrytëzon në formë të terapisë psikologjike, pasi gruaja e tij Cassanda Harris, ka vdekur nga kanceri në vitin 1991 dhe se pikturimin e ka gjetur si mënyrë për t’i shprehur ndjenjat e brendshme në mënyrë që t’i procesojë mendimet dhe ndjenjat që ka pasur që nga ajo kohë.
“Arti më ka ndihmuar dhe vazhdon të jetë një lloj terapie e shprehjes së ndjenjave të brendshme, mërzinë apo gëzimin. Arti u bë esencial për mua teksa plakesha. Ka qenë aspekti më emocionues për jetën time kreative viteve të fundit”, pati thënë Brosnan për “Sunday Times Style”.
Ai gjithashtu pati pranuar se gjithnjë ka ëndërruar të jetë yll filmi. Irlandezi kishte shkuar në Amerikë në vitin 1982 me qëllimin për të krijuar një jete për veten.
“Doja të bëhesha i famshëm! Yll filmi. Kjo ishte ëndërr, një ëndërr romantike. Një ambicie që më digjte nga brenda dhe normalisht tashmë nuk e ka të njëjtin intensitet, por më pëlqen të bëj filma. Kur më pyesin se a aktroj ende, ju them: ‘po dhe në moshën 70-vjeçare madje’”, ka thënë aktori.