Pianoja me të cilën Freddie Mercury ka kompozuar hitet e grupit “Queen”, duke përfshirë edhe atë “Bohemian Rhapsody” është shitur në ankand në një vlerë prej 2.2 milionë dollarë.
Por pavarësisht kësaj çmimi përfundimtar ishte më i ultë se sa vlerësimet e mëparshme që sugjeronin se pianoja e këngëtarit të ndjerë mund të shitej për 3.8 milionë dollarë.
Një tjetër artikull që u shit në këtë ankand ishin edhe tekstet e shkruara me dorë për “Bohemian Rhapsody”, që paraqitën titullin origjinal të melodisë të “Mongolian Rhapsody”. Ato u shitën për 1.7 milionë dollarë.
Në këtë ankand u shit edhe një unazë diamanti që Freddit ia kishte dhuruar shoku i tij Sir Elton John.
John në një letër dërguar organizatorëve, e cila u lexua para shitjes, ka shkruar se Fredi i mungon ende dhe se ai ka qenë një mik i mrekullueshëm, shkruan Famele First.
Unaza u shit për 339 mijë dollarë, pothuajse 70 herë më shumë se çmimi i saj i përllogaritur i shitjes. Gjithashtu është shitur edhe byzylyku i gjarprit që mbante këngëtari në videosportin e këngës “Bohemian Rhapsody”. Ai është shitur për 870 mijë dollarë.
Freddie, i cili vdiq në vitin 1991 pas disa komplikimeve si pasojë e sëmundjes së SIDA-s, ia la të gjitha gjërat e tij të vlefshme shoqes së tij të ngushtë Mary Austin.
Ajo tani po i shet ato mbi një seri prej gjashtë ankandesh dhe një pjesë të të ardhurave nga to po i jepen “Mercury Phoenix Trust” dhe “Elton John AIDS Foundation”. (Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi)