Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Krehri i mustaqeve të Freddie Mercuryt në shitje për 50 mijë funte

Më shumë se 1 mijë e 400 gjësende që i përkisnin ish-frontmenit të grupit legjendar “Queen” pritet të dalin në shitje nëpërmjet ankandit në Sotheby's në shtator. Peter Freestone, ish-përfaqësuesi i Freddie Mercuryt ka parashikuar se krehri i mustaqeve mund të tërheqë oferta të majme.

“Ka kushtuar rreth 90 funte. Ishte nga Tiffany and Co, një nga dhuratat e tyre të vogla. Por mund të shkojë për 50 mijë funte sepse ata do të paguajnë për ADN-në e Freddiet”, ka thënë Freestone për gazetën “Mirror”.

Peter, 68 vjeç, shpjegoi se Freddie - i cili vdiq në nëntor 1991, në moshën 45 - në fakt e dërgonte atë në ankande për të ofruar në emër të tij.

“Nëse Freddie do të ishte në dhomë, çmimet do të shkonin flakë. Në mëngjesin e shitjes do t'i jepja librin e tij të çeqeve, ai do të vinte nënshkrimin e tij mbi të dhe do të shkoja në ankand”, ka treguar ai.

“Unë isha shumë me fat shumicën e kohës dhe do të merrja atë që donte. Ai e donte artin, vazot prej kristali, mobiliet dhe gjërat japoneze”, ka shtuar Freestone.

Fansave të muzikantit të ndjerë po iu jepet mundësia t'i shikojnë artikujt në një ekspozitë falas, përpara se të dalin në ankand.

Edhe Pianoja e Freddie Mercuryt shitet për 2.2 milionë dollarë Showbiz Pianoja e Freddie Mercuryt shitet për 2.2 milionë dollarë

Koleksioni do të shfaqë pianon e madhe të Freddie, tekste këngësh të shkruara me dorë dhe kostume ekstravagante, dhe Thomas Williams, specialist i mobilieve dhe arteve dekorative të Sotheby's, ka sugjeruar se do të ofrojë një pasqyrë të vërtetë për ish-yllin e Queen.

“Freddie ishte një grumbullues, ai nuk hodhi asgjë. Pronat e tij na japin një pamje të jashtëzakonshme 360 gradë të njeriut, që nga fëmijëria e tij deri në vdekjen e tij”, ka thënë Williams.

Ekspozita e quajtur “Freddie Mercury, A World of His Own” do të zgjasë deri më 5 shtator.