Showbiz

Prezantuesja Ananda Lewis humb betejën me kancerin

Ananda Lewis

Ananda Lewis

Foto: Associated Press

Ananda Lewis, prezantuesja e njohur që u bë e famshme në televizionin e njohur MTV në fund të viteve ’90, ka vdekur në moshën 52-vjeçare pas një beteje disa vjeçare me kancerin e gjirit.

Lewis, në vitin 2020 ka zbuluar se ishte diagnostikuar me kancer të gjirit në stadin e tretë, dhe të mërkurën (11 qershor 2025), motra e yllit ka njoftuar se ajo ka vdekur, ka raportuar FemaleFirst.

 “Ajo tani është e lirë, në krahët e Zotit. Zot, prehe shpirtin e saj”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, motra e saj Lakshmi.

Ananda Lewis ka lënë pas djalin e saj 14-vjeçar, që ka nga lidhja me Harry Smith.

Në muajin tetor të vitit 2024, Lewis kishte treguar publikisht se kanceri i saj kishte avancuar në stadin e katërt, duke shprehur keqardhje që nuk kishte ndjekur këshillat mjekësore në fillim.

“Plani im fillimisht ishte të pastroja trupin nga toksinat e tepërta. Unë mendoja se trupi im është inteligjent, e besoj këtë. Trupat tanë janë të krijuar në mënyrë brilante. Vendosa të mbaj tumorin dhe të përpiqesha ta largoj nga trupi me mënyra të tjera…Do doja të mund të kthehesha pas. Është shumë e rëndësishme për mua të pranoj se ku gabova me këtë”, ka thënë ajo në intervistën e fundit për mediumin CNN.

Karriera e Lewis ka filluar në vitin 1997 kur ajo prezantoi emisione të famshme të MTV-së si “Total Request Live” dhe “Hot Zone”. Në vitin 2001 ajo nisi talk-show-n e saj me emrin “The Ananda Lewis Show”, por fatkeqësisht programi debutoi vetëm një ditë para sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në New York, çka ndikoi në rënien e shikueshmërisë dhe anulimin e tij pas vetëm një sezoni.

Lewis më vonë u bë edhe prezantuese e emisionit “The Insider” në mediumin Entertainment Tonight dhe gjatë karrierës së saj ka intervistuar yje të mëdhenj si grupet e njohura “Destiny’s Child” e “Nsunc”, si dhe këngëtarë me famë botërore si Brandy e Britney Spears.