Showbiz

Paralajmërohet vazhdimi i tretë i filmit “A Quiet Place”

Studioja filmike “Paramount Pictures” e ka bërë të ditur lajmin se po bëhet gati për ta lansuar një vazhdim të tretë të filmit “A Quiet Place”.

Sipas portalit “Deadline”, studioja e famshme e ka angazhuar Jeff Nicholsin, i njohur për film atë tillë si “Midnight Special” dhe “Take Shelter” për ta shkruar dhe drejtuar filmin, i cili bazohet në idenë origjinale të aktorit dhe regjisorit John Krasinski.

Krasinski, më së miri i njohur për rolin e tij në serinë “The Office” dhe filmin “Jack Ryan”, e ka bashkëshkruar, ka luajtur dhe e ka bërë regjinë e filmit të parë dhe të dytë të zhanrit horror, transmeton Koha.

Data e lansimit të vazhdimit të dytë “A Quiet Place” është shtyrë nga marsi i këtij viti për në prill të 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Detaje rreth temës që do ta trajtojë vazhdimi i tretë i këtij projekti të suksesshëm në arkat filmike, nuk janë zbuluar ende për publikun, por sipas “Deadline” nuk do të jetë vazhdim i historisë së dy filmave të parë, por në fakt do të bazohet në botën pas apokalipsit ku të mbijetuarit mundohen të qëndrojnë të gjallë, duke jetuar në qetësi të plotë teksa ndiqen nga përbindëshat.

Studioja “Paramount” ka vendosur që këtë vazhdim të tretë ta lansoj nëpër kinema në vitin 2022.