Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Oprah nuk është pishman pse nuk është martuar kurrë dhe nuk ka fëmijë

Prezantuesja legjendare televizive, Oprah Winfrey (65), është mësuar tashmë që të gjithë ta pyesin se pse nuk është martuar kurrë dhe nuk ka pasur fëmijë.

“Asnjëherë nuk u pendova për vendimin tim”, - tha Oprah, e cila e takoi partnerin Stedman Graham (68) në një darkë bamirësie në vitin 1986, ndërsa siç tha për revistën “People”, gjatë lidhjes së tyre 33-vjeçare, ajo vetëm një herë dëshiroi të bëhej nënë, dhe atë jo shumë kohë pasi u fejuan.

“Në një moment e bleva edhe një apartament në Chicago, e nxitur nga mendimi se nëse martohemi, do të na duhej një dhomë shtesë për fëmijë”, – e pranoi Oprah, por kjo kurrë nuk u realizua, pasi edhe vetë u bë e vetëdijshme se sa përgjegjësi dhe sakrificë duhej që një grua të bëhej nënë.

Image

Ajo gjithashtu e pranoi se gjatë viteve që punonte në The Oprah Winfrey Show, e kuptoi se po fliste me shumë njerëz të hutuar që u bënë të tillë sepse prindërit e tyre nuk ishin të vetëdijshëm se sa e rëndësishme dhe e përgjegjshme ishte detyra e edukimit, shkruan KOHA Ditore.

“Me vite të tëra e kam respektin maksimal për femrat që kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët e tyre, sepse nuk e di se si ia dalin gjatë gjithë ditës. Askush nuk po ua jep femrave mirënjohjen që e meritojnë. Kam menduar për këtë shpesh, se si punoj 17 orë në ditë, dhe kur kthehem në shtëpi i kam dy qen dhe Stedmanin, i cili më lejon të jem ajo që jam në këtë botë. Ai kurrë nuk ka kërkuar diçka nga unë, ai nuk kishte kërkesa të tipit: 'Ku është kafjalli im? Ku është darka ime?' Por mendoj se gjithçka do të kishte ndryshuar nëse do të kishim vendosur të martohemi”, - tha ajo dhe vazhdoi: “Të dy kemi konkluduar kohë më parë që nuk do të ishim më bashkë sikur të ishim martuar. Kështu që nuk pendohem për asgjë, dhe besoj se një pjesë e mospendesës sime është për shkak se e kam gjetur atë që është më e mira për mua dhe të gjitha ia dedikoj 'Oprah Winfrey Leadership Academy' për vajzat në Afrikën e Jugut. Këto vajza e plotësojnë zbrazëtirën amësore që mund ta kisha pasur”, - përfundoi ajo.