Prezantuesja e famshme, Oprah Winfrey, ka pranuar se nuk i mungon më drejtimi i emisionit me biseda, megjithëse ndjen mall për lidhjen që kishte ndërtuar me audiencën përmes ekranit.
Moderatorja legjendare e drejtoi emisionin “The Oprah Winfrey Show” nga viti 1986 deri më 2011, dhe gjatë asaj kohe u bë një ndër figurat më të dashura të televizionit amerikan. Por në një intervistë për podcastin “Let’s Talk Off Camera with Kelly Ripa”, ajo ka thënë se i mungojnë njerëzit, por jo emisioni, ka raportuar FemaleFirst.
“Më mungon biseda e përditshme. Më mungojnë bisedat pas emisionit”, ka thënë ajo.
Megjithatë, ylli ka pranuar se përmbajtja që trajtonin çdo ditë në emision ishte gjithnjë e më e rëndë emocionalisht.
“Sa shumë që e doja audiencën, po ju them, natyra e asaj që bënim çdo ditë u bë shumë e vështirë”, ka thënë tutje ajo.
Winfrey ka treguar gjithashtu se ekipi i saj i producentëve shpesh ndjehej i tejmbushur me stres nëse emisioni nuk fitonte çmime, prandaj ajo vendosi të mos i dërgonte më projektet për vlerësim.
“U thashë të mos merreshin më me çmime. Të fokusoheshim te puna më e mirë e mundshme dhe te përpjekja për të bërë diçka të mirë, për të qenë një forcë për mirë në botë”, ka thënë ajo.
Winfrey ka shtuar se puna nuk do të matet me çmim në fund të vitit.
“Puna matet me çdo reagim të shikuesve. Kam thënë shumë herë: trashëgimia jote është çdo jetë që prek. Matet me të gjitha jetët që ndikohen nga ajo që thua dhe bën”, ka thënë ajo.
Një nga elementet më të njohura të emisionit ishin dhuratat bujare për publikun në studio. Por sipas saj, presioni për ta tejkaluar veten çdo vit u bë stresues, aq sa në një moment, njëri nga producentët sugjeroi të dërgonin dikë në hapësirë.
“Në atë moment mendova: ‘Është koha për ta ulur ritmin’”, ka kujtuar ajo me humor.
Në sezonin e fundit të emisionit, Winfrey mori me vete mbi 300 pjesëtarë të audiencës në Australi për 8 ditë, por përballja me realitetin logjistik ishte e vështirë.
“Ajo që nuk kuptuam ishte se 90 për qind e audiencës nuk kishin pasaportë. Kështu që producentët u çmendën duke u përpjekur t’ua siguronin në kohë”, ka kujtuar ajo.
Gjatë bisedës, Kelly Ripa, e cila që prej vitit 2001 e drejton emisionin e përditshëm “Live with Kelly and Mark”, e pyeti Winfreyn se si e kuptoi që ishte koha për t’u larguar nga televizioni.
“Para së gjithash, nuk është koha për ty që të largohesh. Dhe nëse do të isha unë këshilltarja jote, do të të thosha absolutisht jo. Ti dhe Mark jeni në një fazë të mirë, dhe ajo fazë po funksionon”, ju përgjigj 71 vjeçja.
Ajo vlerësoi tonin e emisionit të Ripas si “I lehtë dhe argëtues, por edhe serioz kur është e nevojshme”.
“Mos e lësho platformën që ke. Mos e bëj këtë. As mos e merr në konsideratë. Sepse besoj se ndikimi që ke, audienca që ke ndërtuar, familja që ke krijuar, brenda studios dhe në gjithë botën, janë më të rëndësishme tani se kurrë më parë”, i ka thënë Winfrey Ripas.