Baballarët e muzikës heavy metal po përgatiten për një koncert lamtumirës me yje të mëdhenj, por pyetja që të gjithë bëjnë është: a do të jetë Ozzy Osbourne në gjendje të performojë, pas ndërhyrjeve të rënda kirurgjike dhe vuajtjeve të pafundme?
Në një thirrje telefonike me video nga shtëpia e tij në Los Angeles, këngëtari i njohur Ozzy Osbourne përpiqet të mbajë mend detajet e viteve të fundit, të cilat i përshkruan si “më të këqijat e jetës" së tij. “Sa operacione kam bërë?”, pyet ai me ironi. “Kam më shumë hekur në trup sesa një depo skrapi”, ka thënë ai në intervistë ekskluzive për The Guardian.

Gjendja e tij filloi të përkeqësohej seriozisht në fillim të vitit 2019, kur ndodhej në mesin e një turneu lamtumirës, të cilin gruaja dhe menaxherja e tij, Sharon, ia kishte imponuar pas diagnostikimit me një formë të Parkinsonit. Më pas, u prek nga pneumonia, dy herë, dhe më vonë një infeksion i rëndë e detyroi të vendoste një kateter intravenoz për antibiotikë.
“Antibiotikët të shkatërrojnë krejtësisht”, ka thënë ai.
Në muajin shkurt të po atij viti, ai u rrëzua në banjë gjatë natës.
“Nuk ndeza dritën. Mendova se e dija ku ishte krevati, por nuk ishte aty. Rashë me fytyrë. Dëgjova qafën tek krisë. Thashë: ‘Sharon! Thirr ambulancën!’ Ajo më tha: ‘Ku je more? Kthehu në shtrat!’ I thashë: ‘Mos bëj pyetje, vetëm thirr ndihmë.’ Mendova se do mbetesha i paralizuar”, ka treguar ylli.
Rrëzimi e rëndoi më tej një dëmtim të mëhershëm të shtyllës kurrizore, pas një aksidenti me motor në vitin 2003. Operacioni që pasoi, sipas Osburne, ishte “më i keqi që mund të imagjinosh”. Ia vendosën dy pllaka metalike në shtyllën kurrizore, por vidat u liruan, duke shkaktuar dëme të reja.
“Pesë operacione më vonë, trupi i tij ishte i shkatërruar. Ishte torturë, Parkinson dhe dëmtim në shtyllën kurrizore. Thjesht e tmerrshme”, ka thënë Sharon.

Megjithatë, Osbourne nuk u dorëzua. Nxori dy albume të reja, “Ordinary Man” (2020) dhe “Patient Number 9” (2022); bashkëpunoi me artistë si Post Malone dhe Travis Scott në hitin “Take What You Want” dhe doli në skenë në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave të Commonwealthit në Birmingham në vitin 2022, duke performuar këngën “Paranoid” me artistin Tony Iommi, duke u mbështetur në një mbajtëse metalike. Fakti më i pabesueshëm ishte që nuk përdori asnjë medikament për dhimbjet.
“Asgjë fare. Kam qenë në atë rrugë më parë, i përdorja për qejf”, ka thënë ai.
Përkundër kurajës së tij, Osburne pranon se pas operacioneve kishte rënë në depresion të thellë.
“Lutesha të vdisja në gjumë. Zgjohesha çdo mëngjes dhe gjithmonë diçka tjetër nuk shkonte. Fillon të mendosh se kjo nuk do të përfundojë kurrë”, ka thënë këngëtari.
Ai tregon tutje se ishte pikërisht Sharon ajo që i dha një arsye për të vazhduar.
“Ajo më tha: ‘Kam një ide’. E mendova me vete: ‘Oh, dreq, ja ku fillon prapë’”, ka treguar Osburne duke qeshur.

Ideja e Sharon ishte të organizonin një koncert bamirësie në Birmingham, qyteti i lindjes së Osburne, i cili pritet të mbahet më 5 korrik, me rikthimin e katër anëtarëve origjinalë të grupit “Black Sabbath” dhe shumë emra të mëdhenj të skenës që kanë lënë gjurmë tek ata. Lista është thjesht legjendare me grupe si “Metallica”, “Guns N’ Roses”, “Slayer”, “Pantera”, “Alice in Chains”, “Anthrax”, “Tool”, “Mastodon”, e shumë të tjerë. Edhe Tom Morello i grupit “Rage Against the Machine” është drejtori muzikor i koncertit, që mban titullin “Back to the Beginning”. Ai e përshkruan si “ndoshta dita më e madhe në historinë e heavy metalit”.
Megjithatë, organizimi nuk do të jetë pa probleme. Duhet ribashkimi i anëtarëve origjinalë të “Black Sabbath”, të ndarë prej vitesh për shkak të konflikteve, kontratave dhe mosmarrëveshjeve mes familjarëve. Por një seri telefonatash dhe mesazhesh, dhe ndoshta edhe fakti që koncerti mbahet në stadiumin Villa Park, një lajm që, siç thotë Osburne, “do e bëjë Geezer Butler shumë të lumtur”, i bashkoi sërish.
Gjithsesi, shqetësimi kryesor mbetet se a do të jetë Osburne në gjendje të dalë në skenë.
Mund të jem në një lloj froni. Por jam po aq në errësirë sa të gjithë të tjerët”, ka thënë Tony Iommi.
Edhe grupi “Tool” nuk janë të sigurt.
“Po përgatitem për më të keqen, por shpresoj për më të mirën”, thotë këngëtari i tyre, Maynard James Keenan.
Osburne ka qartësuar se nuk do të këndojë një set të plotë këngësh.
“Do të performojmë vetëm disa këngë. Nuk dua që njerëzit të mendojnë se po mashtrohen. Do jetë thjesht një përzgjedhje, disa këngë nga unë dhe disa nga ‘Sabbath’”, ka thënë ai.
Ylli po ushtron çdo ditë me pesha, biçikletë dhe një trajner personal që jeton në shtëpinë e tij.
“Është si të fillosh nga e para. Kam edhe një trajner për vokalin që më vjen katër herë në javë”, ka treguar tutje ai.

Ka ende vështirësi për të ecur, probleme me tensionin dhe mpiksje gjaku dhe ka thënë se nuk do të këndojë dy orë duke vrapuar nëpër skenë, por do të jetë atje, duke shtuar se “kaq mund të bëj”.
Nëse ia del, sipas The Guardian, do të jetë një fitore e jashtëzakonshme, dhe kjo, sipas vetë anëtarëve të “Sabbath”, është në përputhje me gjithë karrierën e tyre.
“Nuk besonim as vetë se do ja dilnim”, ka thënë Ward, bateristi që kishte idenë që muzika e tyre të tingëllonte si film horror.
Kur Tony Iommi prezantoi këngën “Black Sabbath” në prova, Ward ka thënë se e ka trembur për vdekje, duke menduar se sapo e shkatërruan përfundimisht karrierën.
Por Osburne ka kujtuar se publiku i adhuronte.
“Nuk morëm kurrë ndonjë kritikë pozitive. Dhe ndoshta pikërisht për këtë, njerëzit na donin edhe më shumë. Ishim grupi i njerëzve të zakonshëm: katër djem nga Aston, lagjja më e varfër e Birminghamit”, ka thënë ai.
Sharon ka thënë se ky koncert do jetë me të vërtetë fundi. Ward ka shtatë albume solo që ende s’i ka publikuar, Butler po shkruan një roman, Iommi ka krijuar një shfaqje baleti me temë “Black Sabbath” dhe madje edhe një parfum.
“Por për mua dhe Ozzyn, ka ardhur koha të themi ‘mjaft’. Kur i ke dhënë gjithçka, mund të thuash: E bëra”, ka thënë ajo.
Edhe Ozzy e pranon këtë.
“Do më pëlqente të thoja ‘kurrë mos thuaj kurrë’, por pas këtyre gjashtë vjetëve... ka ardhur koha. Kam jetuar nëpër turne për më shumë se 50 vjet. Tani jam bërë si një njeri i shtëpisë. Nuk dal. Nuk pi. Nuk frekuentoj bare. Dhe e urrej të shkoj për pazar me gruan, pas gjysmë ore, më vjen të vetëvritem. Por tani dua të kaloj kohë me nipërit dhe mbesat. Nuk dua të vdes në një dhomë hoteli diku. Dua të kaloj pjesën tjetër të jetës me familjen time”, ka thënë Osburne.