Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Nothing is Lost” nga The Weeknd, kolona zanore e filmit “Avatar 2”

Këngëtari shumë i dashur për publikun, The Weeknd, e ka publikuar videoklipin e këngës “Nothing is Lost (You Give Me Strength)”.

Kënga është kolonë zanore e vazhdimit të dytë të filmit të regjisori James Cameron, “Avatar: The Way of Water”, i cili muajin e kaluar u lansua nëpër kinema anembanë botës.

Videoklipi i realizuar me regji të Quentin Deronzier, zë vend kryesisht brenda peizazhit imagjinar të Pandorës, me pamje të shkurtra të The Weeknd. Më vonë në klip, banorët e klanit Na’vi detyrohen të evakuohen në oqean, ndërsa zjarri kaplon vendin ku ata jetojnë.

Kënga “Nothing is Lost (You Give Me Strength)” është prodhuar nga bashkëpunëtorët e rregullt të artistit kanadez, grupi “Swedish House Mafia”, së bashku me kompozitorin e muzikës së filmave “Avatar”, Simon Franglen.

The Weeknd e kishte paralajmëruar përfshirjen e tij në kolonën zanore të filmit me buxhet të lartë në fillim të dhjetorit të kaluar, para se ta publikonte versionin audio të këngës një ditë para premierës së “The Way of Water”, më 15 dhjetor.

Javën e kaluar, duke e diskutuar këngën në një intervistë për “Hollywood Reporter”, The Weeknd tha: “Pjesa më e mirë e shkrimit të këngës ishte marrja e këshillave dhe vlerësimeve nga James Cameron. Po ashtu duhej të siguroheshim që teksti dhe tingujt e këngës të përshtateshin me temat që trajtohen në film. Mendoj se e kemi arritur shumë mirë këtë gjë”.

Edhe The Weeknd çdo javë do të lansojë këngë nga seriali “The Idol” Showbiz The Weeknd çdo javë do të lansojë këngë nga seriali “The Idol”

Kontributet e kaluara të këngëtarit The Weeknd në kolona zanore të filmave janë, “Earned It” e cila shërbeu si kolonë zanore e filmit të vitit 2015, “Fifty Shades of Grey”, dhe “Pray For Me” një këngë e sjell në bashkëpunim me reperin Kendrick Lamar, e cila ishte kolonë zanore e filmit të vitit 2018, “Black Panther”.

Muajin e kaluar kënga, “Nothing is Lost (You Give Me Strength)”, u fut në listën e ngushtë të këngëve favorite për t’u nominuar për çmim “Oscar”. The Weeknd përfshihet në këtë listë së bashku me Rihannan, e cila e ka realizuar kolonën zanore të filmit “Black Panther: Wakanda Forever”, “Lift Me Up”, dhe Lady Gagan e cila e ka realizuar kolonën zanore të filmit “Top Gun: Maverick”, me titull “Hold My Hand”.

Artisti i njohur kanadez po ashtu është i përfshirë në një projekt televiziv me titull, “The Idol”. The Weeknd e ka bashkëkrijuar, bashkëshkruar, shërben si producent ekzekutiv dhe e drejton kastën e aktorëve të dramës së ardhshme të kanalit HBO. Në serial ai luan krahas aktores Lily-Rose Depp. “The Idol” lansohet për publikun e gjerë në fund të këtij viti.