Showbiz

Burri që u përplas me veturë në portën e shtëpisë së Jennifer Aniston, po hetohet për përndjekje

Jennifer Aniston

Jennifer Aniston

Foto: Associated Press

Një burrë që u arrestua nën dyshimin se përplasi makinën në portën e shtëpisë 21 milionë dollarëshe të aktores Jennifer Aniston në Los Angeles, po hetohet tani edhe për përndjekje, ka raportuar The New York Post.

Policia e Los Angelesit (LAPD) ka konfirmuar për The New York Post se Jimmy Wayne Carwyle, 48 vjeç, u ndalua të hënën më 5 maj, pasi përplasi automjetin e tij në portën e shtëpisë së aktores së njohur.
 

Sipas autoriteteve, roja private e Aniston e ndaloi Carwylen derisa mbërriti policia, e cila e arrestoi për dëmtim të pronës private në rrethana të rënda. Ai u mbajt në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.

Por hetimi nuk mbaron këtu. Sipas TMZ, njësia e menaxhimit të kërcënimeve në LAPD ka nisur hetimet për mundësi përndjekjeje, duke analizuar të kaluarën e Carwylet dhe aktivitetin e tij në rrjete sociale.

Një burim nga policia ka thënë se në rrjetin social Facebook, që i përket emrit të tij, është gjetur një postim shqetësues nga muaji tetor i vitit 2024 ku ai i referohet Anistonit si “nusja e tij”.

“Zoti, ‘Ati’ gjithmonë më sheh dhe i sheh ata që më bekojnë, duke më ndihmuar të përgatitem për të takuar nusen time Jennifer Joanna Aniston Carwyle. Ky duhet të jetë prioriteti juaj numër një”, thuhej në postim.
 

Jennifer Aniston, 56 vjeç, ndodhej në shtëpi në momentin e incidentit, por nuk u lëndua.

TMZ ka shkruar gjithashtu se aktorja nuk ka pasur asnjëherë kontakt me të dyshuarin.

Ylli i serialit të njohur “Friends” ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike për ngjarjen. 

The New York Post ka kontaktuar LAPD-në dhe përfaqësuesit e saj për koment, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Aniston përflitet se mund të largohet nga shtëpia dhe do të shkojë të jetojë në një vilë tjetër në Montecito të Kalifornisë, një shtëpi që e bleu nga Oprah Winfrey për 14.8 milionë dollarë në vitin 2022.

Shtëpia është në fazat përfundimtare të renovimeve, një fermë elegante në stil toskan, me katër dhoma gjumi dhe tri banjo. Nëse Aniston vendos të zhvendoset në këtë zonë, ajo do të bashkohej me fqinjë si Gwyneth Paltrow, Cameron Diaz, Adam Levine, Ariana Grande, Oprah Winfrey dhe Princin Harry me Meghan Markle.

Princi dhe dukesha u zhvendosën në Montecito në vitin 2020, pas largimit nga detyrat mbretërore dhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Aniston gjithashtu bëri bujë kur u pa në darkë me aktorin Pedro Pascal, por fansat që shpresonin për një romancë mbetën të zhgënjyer.

Pascal, 50 vjeç, ka sqaruar për Access Hollywood se thjesht “po përpiqej ta bindte” Aniston të bashkohej me kastin e “The Last of Us”, pasi ishte paraqitur në episodin e parë të sezonit të dytë.