Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Detajet e sulmit me armë zjarri në shtëpinë e Rihannas

A$AP Rocky dhe Rihanna, "Met Gala" 2026

A$AP Rocky dhe Rihanna, "Met Gala" 2026

Foto: Associated Press

Këngëtarja Rihanna dhe partneri i saj, reperi A$AP Rocky kanë përjetuar momente tmerri pasi shtëpia e tyre në Los Angeles u sulmua me armë zjarri, sipas dokumenteve policore, ka shkruar The New York Times.

Për ngjarjen është arrestuar një grua, e identifikuar si Ivanna Lisette Ortiz, e cila tashmë përballet me akuza për tentim-vrasje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas raportit të policisë, ngjarja ndodhi më 8 mars, pak pas orës 13:00. Rihanna ndodhej brenda një rimorkioje të parkuar në oborrin e shtëpisë së saj, ndërsa A$AP Rocky ishte aty duke fjetur.

Papritur, këngëtarja dëgjoi rreth 10 krisma të forta, që sipas saj tingëllonin “sikur diçka po godiste metalin”. Kur krismat ndaluan, ajo hapi perdet dhe pa vrima plumbash në xhamin e përparmë të rimorkios.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Rihanna e kapi menjëherë A$AP Rocky-n dhe e shtyu në tokë duke i thënë: “Po qëllojnë drejt nesh”.

Autoritetet thonë se e dyshuara, një terapiste e të folurit 35-vjeçare nga Florida, dyshohet se ka qëlluar të paktën 20 herë me një armë të tipit AR-15 drejt shtëpisë së çiftit dhe një shtëpie fqinje.

Në momentin e sulmit, në shtëpi ndodheshin edhe tre fëmijët e Rihannas dhe A$AP Rockyt, të moshave 3 vjeç, 2 vjeç dhe 5 muajsh. Aty ishte gjithashtu nëna e Rihannas, një dado dhe një punëtore e shtëpisë. Dy persona të tjerë ndodheshin në shtëpinë fqinje.

Fatmirësisht, nuk është raportuar për të lënduar.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të mërkurën, avokati i Ivanna Ortiz argumentoi se ajo nuk ishte në gjendje të mirë mendore për t’u përballur me procesin.

Por gjykatësi e hodhi poshtë këtë pretendim, duke deklaruar se “nuk kishte prova për paaftësi mendore”.

Seanca e radhës është caktuar për 19 maj.

Sipas policisë, kur Ortiz u arrestua, kishte veshur një paruke bionde. Në komisariat, ajo përdori të drejtën për të heshtur, por u tha hetuesve një fjali të vetme.

“Dua të them se nuk po tentoja të vrisja askënd. Vetëm kaq doja të thoja”, ka thënë ajo.

Policia intervistoi edhe një kuzhiniere që punonte për Rihannan dhe që ndodhej jashtë shtëpisë në ditën e saj të parë të punës.

Ajo ka thënë se një veturë Tesla ishte afruar pranë saj dhe se gruaja brenda saj dukej sikur “po buzëqeshte me djallëzi, sikur do të bënte diçka të keqe”.

Kuzhinierja ka treguar se fillimisht nuk i dha shumë rëndësi situatës dhe vazhdoi të shikonte video në TikTok. Por pak çaste më vonë dëgjoi disa shpërthime të forta dhe pa Teslën duke u larguar, ndërsa tymi dilte nga njëra dritare e veturës.

Në deklaratën e saj për policinë, Rihanna ka thënë se kishte përjetuar edhe më parë ngacmime dhe kërcënime me vdekje në rrjetet sociale, por nuk mund të mendonte për ndonjë incident të fundit që mund të lidhej me sulmin.

Pas të shtënave, ajo dhe A$AP Rocky raportohet se vrapuan drejt shtëpisë për të paralajmëruar të gjithë të pranishmit.

Hetuesit gjetën vrima plumbash në disa pjesë të pronës, përfshirë rimorkion, portën hyrëse, një gardh druri dhe murin e jashtëm të dhomës së fëmijëve.