Nicki Minaj ka debutuar në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, me këngën e saj të fundit “Super Freaky Girl”. Kështu u bë reperja e parë që e ka arritur këtë sukses në 25 vjetët e fundit, raporton portali “NME”.
Kjo është një ndër arritjet e shumta që Minaj i shënoi me këngën e parë të lansuar nga viti 2019, e që po ashtu është shndërruar në hitin e saj të parë, si solo artiste, të pozicionuar në maje të toplistës “Billboard”.
Por kjo nuk është kënga e parë e reperes amerikane që e gëzon këtë titull, në vitin 2020, edhe dy projekte të saj bashkëpunuese arritën të pozicionohen në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira. Bëhet fjalë për hitin “Say So”, të cilën e solli në bashkëpunim me artisten Doja Cat dhe “Trollz”, një bashkëpunim ky me reperin 6ix9ine.
Reperja e fundit që ka debutuar në vendin e parë të toplistës “Billboard” ishte, Lauryn Hill. Ajo e arriti këtë sukses në vitin 1998 me këngën, “Doo Wop (That Thing)”, që ishte pjesë e albumit të saj të parë si solo artiste, “The Miseducation Of Lauryn Hill”.
Gjatë vitit 2022, Nicki ka qenë mjaft e zënë me realizimin e katër bashkëpunimeve, “Do We Have A Problem?”, “Bussin”, “Blick Blick” dhe “We Go Up’ with Fivio Foreign”.
Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se, Minaj, do të jetë artistja e radhës që e pranon çmimin special të karrierës, “Michael Jackson Video Vanguard AWard” në ceremoninë e ardhshme “MTV VMA”, e cila mbahet më 28 gusht.
Në fund të vitit pritet të lansohet seria e dokumentarëve biografik të reperes, “Nicki”, në platformën HBO Max. Dokumentari gjashtë pjesësh do ta përshkruajë ngritjen e saj meteorike në yll të repit, me një fokus të theksuar në betejat me të cilat ajo është përballur si një grua në skenën e muzikës hip-hop.