Reperja 43-vjeçare Nicki Minaj është shndërruar në një përkrahëse të papritur të presidentit amerikan Donald Trump.
Ajo ka shpjeguar se vendimin për ta mbështetur e ka marrë sepse e ka ndier veten të lidhur me kritikat dhe sulmet që, sipas saj, i janë bërë vazhdimisht Trumpit.
E pyetur për afrimin e saj me politikën konservatore, Minaj ka deklaruar në podcastin “The Katie Miller Podcast” se liria fetare është një nga arsyet kryesore që e ka shtyrë drejt këtij pozicioni, ka raportuar “FemaleFirst”.
“Liria fetare është diçka shumë e rëndësishme për mua. Por, nëse jam e sinqertë, presidenti Trump… kur pashë mënyrën se si po trajtohej vazhdimisht, thjesht nuk munda ta duroja”, ka thënë ajo.
Këngëtarja e hitit “Super Bass” ka treguar se është ndier sikur edhe vetë ka kaluar përvoja të ngjashme me sulme personale dhe akuza të padrejta, njësoj si ato që, sipas saj, i janë drejtuar Trumpit.
“E ndjeva të njëjtën gjë, gjithë atë bullizëm në fushatën e këtij njeriu dhe gjithë ato gënjeshtra. Mu duk sikur e njëjta gjë më ishte bërë mua për shumë vite, dhe po e shihja në kohë reale duke i ndodhur dikujt tjetër. Nuk mendoja se ai e meritonte këtë. Dhe kjo më bëri të mendoj: nuk mund ta pranoj më këtë”, është shprehur Minaj.
Nicki Minaj, e lindur në Trinidad dhe Tobago që ka shkuuar në SHBA që fëmijë, ka thënë se prej kohësh e ka ndier se po tërhiqej drejt diçkaje përtej muzikës, sidomos pasi filloi të ndiqte më nga afër fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2024.
Në një video të publikuar në rrjetin social X, ajo ka folur në mënyrë enigmatike për një moment të rëndësishëm që e ka shtyrë të mendojë për përfshirje në politikë.
“Gjatë fushatës së fundit presidenciale… pashë diçka dhe menjëherë i shkrova dikujt që e njihja. I thashë: ‘Kjo është gabim’. Dhe gjithashtu thashë: ‘E gjithë kjo po më bën të dua të futem në politikë’”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka shtuar se një ngjarje e mëvonshme e ka forcuar edhe më shumë këtë ndjenjë, megjithëse ka zgjedhur të mos japë detaje.
“Pastaj ndodhi diçka disa muaj më parë që, nëse nuk do ta bëja më herët… nuk dua të flas për këtë”, ka thënë Minaj.
Sipas saj, presioni dhe sulmet mund ta shtyjnë një person drejt një rruge të re në jetë.
“Ndonjëherë njerëzit të shtyjnë aq shumë, sa të shtyjnë drejt thirrjes tënde të radhës. Kjo është ajo që më ndodhi mua”, ka thënë ajo.
Javën e kaluar, Minaj u shfaq përkrah Trumpit në një event në Uashington, ku e quajti veten “fansja numër një” e presidentit.
“Me shumë sinqeritet, jam ndoshta fansja numër një e presidentit dhe kjo nuk do të ndryshojë. Urrejtja apo çfarëdo që njerëzit thonë nuk më ndikon fare. Përkundrazi, më motivon edhe më shumë që ta mbështes atë”, ka deklaruar reperja.