Showbiz

Netflixi ka arritur marrëveshje për blerjen e “Warner Bros.” dhe “HBO”

netflix

Foto: Associated Press

Paltforma e njohur transmetuese, Netflix ka fituar garën për blerjen e gjigandëve, “Warner Bros.” dhe “HBO”, në një marrëveshje që mund t’i bashkojë dy prej platformave më të mëdha të transmetimit me një nga studiot më të mëdha tradicionale të filmit dhe televizionit. Nëse miratohet, marrëveshja prej 72 miliardë dollarësh (plus borxhin) do ta ndryshojë rrënjësisht Hollywoodin, në një periudhë të brishtë për industrinë e argëtimit, ka njoftuar CNN.

Megjithatë, procesi i miratimit pritet të jetë i gjatë dhe i vështirë, pasi marrëveshja do t’i nënshtrohet rishikimit të rreptë rregullator në SHBA dhe vende të tjera.

“Warner Bros. Discovery” (WBD), që është edhe kompania mëmë e CNN-it, ka deklaruar se po vazhdon planet për t’u ndarë në dy kompani të tregtuara publikisht në vitin 2026. Pasi të ndodhë ndarja, Netflixi synon të blejë pjesën “Warner”, ndërsa pjesa tjetër, “Discovery Global”, do të përfshijë CNN-in dhe kanalet e tjera kabllore.

Gjatë javëve të fundit, gjigandi “Paramount” shihej si pretendenti kryesor për blerjen e WBD-së dhe drejtuesit e tij ishin të sigurt se marrëveshja e tyre do të pranohej, përfshirë edhe mbështetjen politike që gëzojnë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Por Netflix i befasoi të gjithë me ofertat e tij agresive dhe të guximshme, duke kaluar përpara “Paramountit”.

Kompania ka pranuar madje edhe të njëjtin “breakup fee” miliardësh që kishte propozuar “Paramount”, një tarifë që duhet paguar nëse marrëveshja dështon. Kjo është e rëndësishme, pasi pengesa më e madhe mbetet miratimi rregullator. 

Administrata e presidentit Trump, pritet ta shqyrtojë në hollësi çdo transaksion të tillë, ndërsa disa politikanë amerikanë kanë shprehur tashmë shqetësime se marrëveshja do të dëmtonte konkurrencën.
Senatori Mike Lee ka shkruar se ambicia e Netflixit për të blerë një nga konkurrentët e tij më të mëdhenj duhet t’i shqetësojë autoritetet antitrust, duke paralajmëruar se transaksioni do të ngrinte “pyetje serioze rreth konkurrencës”.

Netflix, nga ana tjetër, argumenton se asetet e WBD-së janë plotësuese dhe se marrëveshja do të krijojë “më shumë mundësi për komunitetin krijues”. 

Njëri nga drejtorët e kompanisë, Greg Peters, ka thënë se “Warner Bros.” ka pasur ndikim në industrinë e argëtimit për më shumë se një shekull, dhe se Netflixi mund t’i çojë krijimet e saj te një audiencë më e gjerë në të gjithë botën.

Megjithatë, shumë figura të industrisë së filmit janë skeptike. 

Shoqata e kinemave “Cinema United” ka paralajmëruar se marrëveshja përbën “një kërcënim të paprecedentë” për biznesin e kinemave, duke qenë se Netflix zakonisht nuk favorizon shfaqjet teatrale të filmave. 

Netflix u përgjigj duke thënë se planifikon t’i vazhdojë publikimet në kinema për filmat e “Warner Bros.”

Sipas analistëve të Bank of America, nëse Netflix e finalizon blerjen, atëherë “lufta e transmetimeve praktikisht përfundon”, duke e bërë Netflixin fuqinë e padiskutueshme të Hollywoodit.