Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

James Cameron kundër blerjes së Warner Bros. nga Netflixi, mbështet Paramountin

James Cameron

James Cameron

Foto: Associated Press

Regjisori James Cameron ka reaguar publikisht kundër mundësisë që platforma transmetuese Netflix të blejë gjigandin Warner Bros. Discovery, duke mbështetur ofertën e Paramount Global në garën për blerjen e studios.

Në një letër drejtuar senatorit amerikan Mike Lee, Cameron paralajmëron se nëse Netflix merr në dorë Warner Bros., kjo do të jetë një goditje e rëndë për kinematë dhe për gjithë industrinë e filmit në SHBA.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, modeli i biznesit të Netflix bie ndesh drejtpërdrejt me sistemin tradicional të prodhimit dhe shfaqjes së filmave në kinema.

“Modeli i biznesit të Netflix është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me prodhimin dhe shfaqjen e filmave në kinema, një industri që punëson qindra mijëra amerikanë. Prandaj ai është në kundërshtim të drejtpërdrejtë edhe me modelin e divizionit të filmave të Warner Brothers, një nga studiot e pakta të mëdha që kanë mbetur”, ka shkruar Cameron në letrën e publikuar fillimisht nga CNBC.

Shqetësimi kryesor i regjisorit lidhet me faktin se filmat e mëdhenj, mund të kenë një periudhë shumë më të shkurtër shfaqjeje në kinema ose të dërgohen direkt në platformën streaming, duke anashkaluar kinematë.

Aktualisht, Warner Bros. nxjerr në kinema rreth 15 filma në vit. Cameron dhe figura të tjera të Hollywoodit frikësohen se ky numër do të ulet nëse Netflix e blen studion.

“Në një moment kritik për kinematë, do të ishte një goditje e rëndë që kjo prodhimtari të zhvendoset drejt platformave transmetuese. Nëse filmat e mëdhenj nuk miratohen më për prodhim sepse tregu tkurret edhe më tej, atëherë shumë vende pune do të shuhen. Kinematë do të mbyllen. Do të prodhohen më pak filma. Kompanitë e efekteve vizuale do të falimentojnë. Humbjet e vendeve të punës do të përshkallëzohen”, thuhet në letëren ku Cameron paralajmëron pasoja zinxhir.

Nga ana tjetër, CEO i Netflix, Ted Sarandos, gjatë një dëshmie në Senatin amerikan, ka premtuar një ‘dritare’ 45-ditore shfaqjeje në kinema për filmat, nëse marrëveshja realizohet.

Por Cameron mbetet skeptik.

“Cilat janë garancitë reale në këtë marrëveshje? Cili institucion do t’i mbajë përgjegjës nëse gradualisht heqin dorë nga ky angazhim për shfaqje në kinema? Por pasi të zotërojnë një studio të madhe filmike, kjo është e pakthyeshme. Anija tashmë ka lundruar”, ka thënë ai.

Regjisori ka theksuar se edhe kur Netflix ka bërë shfaqje në kinema, ato kanë qenë shumë të kufizuara dhe shpesh vetëm për të plotësuar kriteret e nominimeve për çmime si “Oscar”.

“Netflix ka realizuar vetëm një numër të vogël shfaqjesh në kinema, zakonisht nën presionin e regjisorëve prestigjiozë. Por këto zakonisht janë në një numër simbolik sallash dhe kryesisht për t’u kualifikuar për Academy Awards. Këto nuk përfaqësojnë thelbin e biznesit të kinemave”, ka thënë ai.

Sipas Cameron, blerja e Warner Bros. nga Netflix do të ishte negative si për publikun, ashtu edhe për krijuesit e filmave. Publiku do të ketë më pak filma për të parë në kinema, ndërsa regjisorët dhe producentët do të kenë më pak studio të interesuara për të investuar në projektet e tyre.

“Jam thjesht një krijues modest i filmave. Dhe e shoh krijimtarinë dhe produktivitetin tim të ardhshëm të kërcënuar drejtpërdrejt nga kjo shitje e propozuar”, ka shkruar ai tutje në letër.

Në një intervistë të mëhershme në podcastin “The Town”, Cameron kishte mbështetur publikisht ofertën e kompanisë së drejtuar nga David Ellison për Warner Bros.

“Mendoj se Paramount është zgjedhja më e mirë. Netflix do të ishte një katastrofë. Më fal, Ted, por seriozisht. Sarandos ka thënë publikisht se filmat në kinema kanë vdekur. ‘Kinemaja ka vdekur.’ Fjalë për fjalë”, pati thënë ai.