Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Mishërimi i Aretha Franklin nga Jennifer Hudson

Para vdekjes së saj më 2018, Aretha Franklin e zgjodhi personalisht Jennifer Hudsonin për ta portretizuar atë në filmin “Respect”, biografia e re e publikuar në Mbretërinë e Bashkuar këtë fundjavë. Por edhe nëse mbretëresha e muzikës soul nuk do ta kishte lënë pas një amanet kaq të qartë, producentët do ta kishin zgjedhur Hudsonin gjithsesi.

Tashmë fituese e çmimit Oscar për performancën e saj në filmin “Dreamgirls”, Hudson ishte zgjedhje e natyrshme dhe e përshtatshme. Jo vetëm që ajo mund të këndonte dhe aktronte, por edhe kishte interpretuar një këngë të Franklinit në audicionin e saj për “American Idol”, emisioni nga i cili e fitoi famën më 2004.

Për Hudsonin, tani 39 vjeçe, pranimi i rolit ishte bërë pa menduar dy herë - jo se ajo e kishte ditur se zonja e madhe e kishte zgjedhur atë. “E dini çfarë, kjo është e vetmja pyetje që nuk arrita ta bëj”, ka thënë ajo për BBC News. “Ajo kurrë nuk e ka bërë të qartë, thjesht më kishte thënë: “Jennifer, dua që ti të më portetizosh” dhe unë thashë: “Po zonjë, do ta bëjë!”” “Por, mendoj se ishte përtej të kënduarit dhe aktrimit”, ka vazhduar ajo. “Mendoj se ajo pa shumë më tepër, se mund të kemi përjetuar gjëra të ngjashme në njëfarë mënyre”. Hudson ka theksuar besimin e tyre të përbashkët fetar dhe sfidat personale duke qenë në sy të publikut. “Duke ardhur nga një vend kaq i prekshëm, më duhej të mendoja për përvojat e mia për të qenë në gjendje ta tregoja historinë e saj”.

Franklin arriti nderimet më të larta të mundshme të muzikës gjatë karrierës gjashtëdekadëshe - ajo fitoi 18 çmime Grammy, u bë pjesë e “Rock & Roll Hall of Fame” më 1987 dhe iu dha Medalja Presidenciale e Lirisë nga George Bush më 2005. Ajo shiti më shumë se 75 milionë disqe në mbarë botën, falë hiteve si “Think”, “Respect”, “I Say A Little Prayer” dhe “You Make Me Feel Like a Ëoman Natural”.

“Janë disa muzikantë të veçantë, dhe ajo është një prej tyre, për të cilët mendoj se keni ditur për ta qysh kur keni qenë në barkun e nënës”, ka thënë me shaka regjisori Liesl Tommy. “Sepse nuk ka si mos t’ju kujtohet muzika e saj, apo jo? Ajo ka një këngë evokuese për çdo moment të jetës, kështu që dashuria sa vjen e thellohet ndërsa rriteni dhe ndjeshmëritë tuaja bëhen më të sofistikuara”. Franklin dhe Hudson kishin raport të afërt në fazat e hershme të prodhimit të filmit.