Michael Jacksoni pritet të portretizohet nga nipi i tij, Jaafar Jackson, në një film biografik të drejtuar nga Antoine Fuqua.
Filmi i titulluar thjeshtë “Michael” do të ofrojë rolin e madh filmik për 26-vjeçarin Jaafar, i cili është djali i dytë i tekstshkruesit, Jermaine Jackson - vëllai më i madh i Michaelit, raportoi The Guardian të martën.
Jaafar e ka përshkruar rolin si një nder të madh për të.
“Jam i përulur dhe i nderuar që të sjellë në jetë storjen e xhaxhait tim, Michael. Për të gjithë fansat e mi në të gjithë botën, shihemi së shpejti”, ka shkruar ai në Twitter.
Michael Jackson vdiq në vitin 2009 në moshën 50-vjeçare.
Realizimi i filmit “Michael” do të ndihmohet financiarisht nga pasuria e Michael Jacksonit, e cila ka të ngjarë të ndikojë në mënyrën se si përshkruhet jeta e këngëtarit, duke përfshirë nëse do të prekë apo jo ndonjë nga akuzat për abuzim seksual të fëmijëve që u ngritën kundër Jacksonit gjatë jetës së tij dhe pas vdekjes së tij.
Jacksoni gjithmonë e ka deklaruar pafajësinë e tij dhe u shpall i pafajshëm për ngacmim të fëmijëve në vitin 2005.
Graham King, një producent i filmit, i cili gjithashtu prodhoi filmin fitues të Oscarit “Bohemian Rhapsody”, i cili është një biografi për Queen, tha se ekipi që qëndron pas filmit kishte kërkuar në botë për një aktor që të luante Jacksonin, përpara se të vendosej për Jaafarin.
King po prodhon “Michael” me John Branca dhe John McClain, bashkëekzekutuesit e pasurisë së Jackson. Prapa skenarit të filmit qëndron John Logan, i cili shkroi filmat "Gladiator", "The Aviator" si dhe "Skyfall" dhe "Spectre" të James Bond.
