Filmi biografik për legjenden e muzikës, Michael Jackson, po përballet me një tjetër vonesë. Kompania “Lionsgate” ka konfirmuar se premiera e filmit nuk do të ndodhë në vitin 2025, siç ishte planifikuar fillimisht.
Jaafar Jackson, nipi i yllit të ndjerë të pop-it, do të luajë rolin e xhaxhait të tij në filmin “Michael”. Regjia i është besuar Antoine Fuqua, ndërsa producent është Graham King, i njohur për suksesin e madh të filmit “Bohemian Rhapsody”.
Sipas revistës Variety, premiera e filmit tani pritet pas datës 1 prill 2026.
Shefi ekzekutiv i “Lionsgate”, Jon Feltheimer, dha përditësimin gjatë thirrjes për të ardhurat e tremujorit të katërt të vitit fiskal 2025.
“Sa i përket filmit biografik për Michael Jackson, jemi shumë entuziastë për tre orë e gjysmë pamje të jashtëzakonshme nga producenti Graham King dhe regjisori Antoine Fuqua. Do të shpallim së shpejti një strategji të saktë publikimi”, ka thënë ai.
Feltheimer ka shtuar se zhvendosja e filmit përtej vitit fiskal 2026 “do të ndikojë në rezultatet financiare të atij viti, por do ta forcojë dukshëm kalendarin tonë për vitin fiskal 2027”.
Filmi ishte paraqitur si projekt madhor në prezantimin e “Lionsgate” në CinemaCon më 2023, por atë vit nuk u shfaq asnjë pamje e re nga filmi. Premiera fillestare ishte planifikuar për 3 tetor 2025.
Sipas Variety, një nga arsyet e shtyrjes është edhe ideja që filmi mund të ndahet në dy pjesë.
Xhirimet për filmin përfunduan në muajin maj 2024, por skenari, i shkruar nga John Logan, po i nënshtrohet rishkrimeve dhe priten xhirime shtesë. Buxheti i projektit është raportuar të jetë rreth 155 milionë dollarë.
Përveç Jaafar Jackson, në ekip marrin pjesë edhe emra të njohur: si Colman Domingo dhe Nia Long, të cilët luajnë prindërit e Michaelit, Joe dhe Katherine Jackson.
Miles Teller, luan rolin e avokatit dhe këshilltarit të tij të përhershëm, John Branca.
Larenz Tate, do të luajë themeluesin e “Motown Records”, Berry Gordy.
Laura Harrier portretizon Suzanne de Passe, producente dhe drejtuese e suksesshme muzikore.
Kat Graham, do të luajë ikonën Diana Ross.
Jessica Sula, shfaqet si La Toya Jackson, ndërsa Liv Symone luan Gladys Knight.
Kevin Shinick, portretizon Dick Clark, dhe Kendrick Sampson, luan Quincy Jones, producentin legjendar me të cilin Jackson krijoi albumet “Off the Wall” në vitin 1979, “Thriller” në vitin 1982 dhe “Bad” në vitin 1987.