Michael B. Jordan u pushtua nga emocionet e bukura me rastin e nderimit të fundit për karrierën e tij filmike. Aktori qe i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të yllit të tij në bulevardin e famës në Hollywood.
“Njerëzit që më njohin vërtetë e dinë që unë shpesh them se nuk e meritoj gjithë këtë sukses. Kur je vazhdimisht i fiksuar në një rrugëtim të caktuar, rrallë herë ndalon për t’i shijuar arritjet tua. Unë gjithmonë jam duke kaluar nga projekti në projekt, dhe kam ndjesinë që koha është duke më ikur nga duart. Dhe për herë të parë, pas një kohe shumë të gjatë po ndaloj për ta shijuar gjithë këtë që është duke më ndodhur. Prandaj ju falënderoj nga zemra”.
Ylli 36-vjeçar po ashtu e falënderoi regjisorin e filmave “Black Panther” dhe “Creed”, Ryan Coogler, i cili e ndihmoi fillimin e karrierës së tij me projektin e pavarur të vitit 2013, “Fruitvale Station”, pas paraqitjeve të para të Jordanit në serialet televizive, “All My Children”, “The Wire” dhe “Friday Night Lights”.
“Bashkëpunimi me Cooglerin e ndryshoi plotësisht jetën time. Nga besimi që më dha për ta portretizuar Oscar Grantin në filmin ‘Fruitvale Station’, i cili i solli dy artistë të ri zezak në qendër të vëmendjes së Festivalit të filmit në Kanë, e deri tek realizimi i hitit, ‘Black Panther’ dhe krijimi I personazhit shumë të dashur për publikun, Adonis Creed, në filmat ‘Creed’. Pra, Coogler më ka qëndruar gjithmonë pranë dhe e luan në rol të rëndësishëm në të gjitha arritjet e mia. Ai gjithmonë ka parë diçka të veçantë në mua dhe më ka shtyrë të ëndërroj dhe punojë më shumë për veten. Prandaj, nuk mjafton vetëm të them se të vlerësoj shumë Ryan. Mirënjohja ime për ty që besove në mua dhe që më fuqizove në gjithë këtë rrugëtim, nuk përfundon kurrë”.
Aktori i njohur hollywoodian, Michael B. Jordan, po ashtu e shënon debutimin regjisorial me vazhdimin e tretë të serisë së filmave “Creed”, që është vazhdim i historisë së projekteve shumë të njohura për publikun mbarë botërorë, “Rocky”, të cila ishin shkruar dhe drejtuar nga Sylvester Stallone.
Jordan përveç si regjisor vjen edhe në rolin e protagonistit, Adonis Creed, një boksier i suksesshëm me një vizion të përsosur të jetës familjare. Në këtë vazhdim, ish-boksieri Damian, i personifikuar nga Jonathan Majors, rikthehet pas vuajtjes së një dënimi me burg dhe dy ish-shokët ballafaqohen me një ndeshje të tensionuar.
Krahas tij në këtë projekt luajnë edhe aktorët, Tessa Thompson, Jonathan Majors, Wood Harris dhe të tjerë.
“Creed III” fillon së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës më 3 mars 2023.