Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Memli Kelmendi sjell “Another Noise”

Edhe pse në Kosovë nuk është shumë e njohur si term dhe si zhanër, muzika eksperimentale është zhanër muzikor që daton që nga shekulli i kaluar.

Muzika eksperimentale përfshin çdo lloj muzike që del nga kufijtë e normales dhe të së zakonshmes, gjithmonë në kërkim të tingujve të rinj dhe ndikimit sa më të thellë tek audienca, raporton “Express” i KTV-së.

Memli Kelmendi është kompozitor, dirigjent e profesor, ndërsa kohëve të fundit ai është fokusuar më shumë në teknologjinë në muzikë, si formë e një eksperimenti social.

Përveç teknologjisë, në veprat e tij janë të përfshira edhe instrumente frymore e zëra të sopranove që i japin edhe më shumë jetë artit të tij.

Vepra e kompozuar nga Memli, e quajtur “Another Noise”, u performua së bashku me disa muzikantë të rinj të cilët ishin të përfshirë në këtë zhanër për herë të parë.

Veprat e tij tërhoqën vëmendje dhe u ndjenë ndryshe nga secili, gjë që u shpreh në pyetjet që pati audienca.

I cilësuar si zhanër më i thellë dhe i përdorur më shumë në filma, e sidomos filma horrorë, muzika eksperimentale arrin të prekë dhe të zgjojë ndjenja të shumta.

Gjatë performancës së veprës së quajtur “Sakrificë”, u inkuadrua edhe publiku, që duke ndrydhur letra, iu bashkua kryengritjes artistike të kompozitorit dhe dy sopranove.

Veprat e Memli Kelmendit janë performuar në vende të shumta të botës, ndërsa së shpejti ai do të vijë me një krijim të ri që ka për temë mbrojtjen e kafshëve dhe trajtimin ndaj tyre.

Artikuj të ngjashëm