Kulturë

“Siparantum” akordohet për jubileun e themelimit

Siparantum

Kori “Siparantum” në fundgusht 2025 duke interpretuar midis 24 formacioneve të tjera vokale në Qendrën Kulturore të Tajlandës në Bangkok në kuadër të ceremonisë hapëse të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve, i cili organizohet nga Asociacioni i Koreve të Tajlandës (Foto: Arben Llapashtica)

Në historinë kulturore shqiptare, ka forma arti nëpërmjet të cilave është këmbëngulur në ndërtimin e identitetit e shpirtit të vendit. Muzika korale është pikërisht njëra nga to. Kori “Siparantum” bashkon vullnetarë që shpalon talentin dhe trashëgiminë e vendit në muzikë korale. 

Disa herë, Kori ka kërkuar publikisht përkrahje financiare. Garës së Koreve Evropiane i është bashkuar me një numër shumë të vogël koristësh, për herë të parë, sipas drejtuesit e dirigjentit të korit, Memli Kelmendi. 

“Kemi qenë edhe pjesë e Garës së Koreve Evropiane dhe ‘Grand Prix of Nations’ që është mbajtur në Danimarkë dhe tash e dy vjet garojmë direkt, nuk ka nevojë për kualifikim sepse ne tash, sipas ranglistës botërore, Kori është në top 20 ansamblet më të mira vokale në botë. Kemi garuar, por për shkak të linjave buxhetore dhe buxhetit të kufizuar na është dashur ta reduktojmë listën, e që ka qenë hera e parë që ne shkojmë me një numër shumë të vogël. Por nuk kemi dashur ta humbim kontinuitetin e pjesëmarrjes”, ka thënë Kelmendi në emisionin “Express” në KTV. 

Për sivjet gjasat janë të jenë prapë në ngjarje të mëdha. Por prapë ka paqartësi shkaku i buxhetit pasi këtë vit shënojnë edhe 10-vjetorin. 

“Do të jemi në dy festivale shumë të rëndësishme, por për shkak të rregullave të organizimeve nuk më lejohet t’i përmend, por edhe për shkak të pjesës financiare nuk e di a do të mbërrijmë të shkojmë”, ka thënë Kelmendi derisa ka folur për planet e sivjetme të Korit. 

“Siparantum” sivjet shënon dekadën e parë të tij prej themelimit. Kelmendi ka bërë të ditur se kjo ngjarje do të përcillet me aktivitete të shumta e të larmishme që pritet të organizohen në pjesën e dytë të vitit. 

“Këtë vit do të jetë 10-vjetori i Korit. Një javë i dedikohet, do të jetë libri monografik, video dokumentari, ekspozita, do ketë panele diskutime, masterklasë, punëtori, programe  edukative, koncerte. Me këtë do të jemi në pjesën e dytë të vitit pasi që tash jemi duke punuar”, ka bërë të ditur ai. 

Deri më tani, “Siparantum” ka udhëtuar në 20 shtete dhe ka marrë 21 çmime ndërkombëtare. Në pjesën dërrmuese të ngjarjeve është kthyer në Kosovë me çmime, edhe prej atyre ku ka dalë fitues absolut. Këto suksese e kanë bërë atë të renditet lart në ranglistën e koreve botërore. 

Drejtuesi e dirigjenti i korit, Memli Kelmendi, ka thënë se tashmë ky institucion, që funksionon në baza vullnetare, njihet dhe se ka reputacion në skenën ndërkombëtare. 

“Kori ‘Siparantum’ tashmë është pjesë e të gjitha rrjeteve të skenës muzikore korale në botë, për arsye sepse përgjatë gjithë këtyre viteve kemi ndërtuar imazh dhe lidhje të drejtpërdrejtë me artistë të shumtë që vijnë nga gjithë bota. Kjo ka bërë që kori ‘Siparantum’ të jetë pjesë e këtij suksesi. Na vijnë ftesa të shumta përgjatë një jave e lëre më brenda një viti, prandaj nganjëherë është e vështirë ta dish se ku duhesh të jesh dhe kujt duhet t’i thuash jo apo ta lësh si mundësi të dytë”, ka thënë ai. 

E ka konsideruar 2025-n si vit aq shumë të ngarkuar e të suksesshëm, sa ka uruar që çdo vit të jetë për korin sikur ai që shkoi. 

“Viti 2025 ka qenë vit jashtëzakonisht i ngarkuar në aspektin artistik për ne, por do të thosha se ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm  dhe vit i cili duhet të jetë vazhdimësi i të tjerëve në vazhdim. Kjo për arsye se kemi qenë pjesë e Festivalit të Koreve në Greqi ku kemi marrë medalje të argjendtë, pastaj rrugëtimi ynë ka qenë pjesë e skenës prestigjioze ku kori ‘Siparantum’ tashmë ka hap atë derë. Për herë të pestë ka qenë në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit, por kësaj here në një bashkëpunim të veçantë në festivalin ‘Walking in the beauty’”, ka thënë dirigjenti e kompozitori, Memli Kelmendi. 

Tradita korale shqiptare nis me këngët liturgjike dhe zhvillohet deri tek krijimtaria e kompozitorëve të shquar shqiptarë të kohës së sotme. “Siparantum” është njëri prej formacioneve korale që këto krijime nuk i shohin veç si strukturë vokale, por edhe si mision kulturor. Është një prej shembujve më domethënës të qasjes moderne në këto vepra. 

Njashtu sikur edhe në atë me titull “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit Baki Jashari, e të cilën e veçon Kelmendi. Ka thënë se kjo vepër i ka sjellë korit çmimin për të cilin ishte në kërkim. 

“Çmimi, me rekomandim të anëtarëve të jurisë, ‘Outstanding Storytelling’ ka qenë për interpretimin e veprës ‘Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’ të kompozitorit tonë të shquar, profesor Baki Jasharit, të cilën e kemi realizuar me një paraqitje krejtësisht ndryshe nga interpretimet tona të mëparshme, sepse jemi bazuar në vuajtjet shekullore të popullit tonë, duke mos anashkaluar edhe luftën e fundit, prej protestave me bukë e deri te realizimi skenik dhe deri tek interpretimi”, është shprehur Kelmendi. 
Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e “Siparantum” në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë, në shtator të vitit të kaluar. Atje kishte marrë edhe Medaljen e Artë në kategorinë “Mixed Adult Choir”. 
“Pjesëmarrja jonë në Tajlandë ka qenë ndryshe. Edhe pjesa e interpretimit në garë ka qenë shumë mbresëlënës për audiencën, por mbi të gjitha për anëtarët e jurisë. Jam gëzuar shumë për pjesëmarrjen tonë atje. Medalja e artë në Tajlandë prej 21 shpërblime ndërkombëtare, që e bën realisht korin historikisht si sjellësi më i madh i çmimeve për kulturën muzikore korale shqiptare”, ka thënë Kelmendi. 

Për të pestën herë, kori “Siparantum” u ngjit në skenën e institucionit prestigjioz – Filarmonisë së Berlinit, në festivalin “Walking in Beauty”, në prillin e kaluar. Moment i veçantë për Kelmendin kishte qenë drejtimi i  interpretimit të rreth 500 koristëve në veprën “The Rose” të norvegjezit Ola Gjeilo, një prej figurave më të shquara të kohës.

Kori “Siparantum” e ka dëshmuar edhe vitin e kaluar se asnjëherë nuk kthehet duarthatë nga garat. E kësisoj edhe nga Danimarka u kthye në fillimkorrik ku mori Medaljen e Argjendtë në “Grand Prix of Nations” në kuadër të Lojërave Evropiane të Korit, që janë mbajtur në qytetin norvegjez Aarhus. Midis 130 koreve me rreth gjashtë mijë pjesëmarrës nga 35 vende, “Siparantum” në kategorinë ku ishte në konkurrencë ia kishte dalë të jetë i argjendtë. 

Në maj, Kori mori pjesë edhe në “14th World Choir Festival on Musical & Competition” që u mbajt në Selanik të Greqisë. Aty Kori kishte dalë i dyti. 

“Kemi menduar që për shkak të diplomacisë kulturore, Kori të jetë pjesë e një gare të tillë. Për mua nuk ka qenë vendim shumë tërheqës, por ka qenë vendim i bordit. Ka qenë njëri prej koreve më të mirë të Amerikës në garë dhe kjo është e bukura, kur kori ynë ka pasur rastin të shoh një super kor. Ata me meritë kanë dalë të parët dhe ne kemi dalë të dytët. Këtë rezultat e kam ditur para se të shkojmë atje. Paraqitja jonë në skenë me kore të tilla për ne është shumë domethënëse. Greqia ka qenë një ndër rrugëtimet e nevojshme për koret”, ka thënë Kelmendi. 

Sipas tij, prezantimet e veprave shqiptare në skenën ndërkombëtare janë mision e vizion i korit. 

“Çdoherë kudo që shkoj është e pamundur që pjesë e rrugëtimit tonë të mos jetë edhe muzika jonë dhe të paraqitet në arenën ndërkombëtare. Mendoj se kjo është rruga më e mirë për të përfaqësuar kulturën dhe për të treguar imazhin e muzikës së vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Kelmendi. 

“Siparantumi” është zë i përbashkët që flet shqip e ndërkombëtarisht  dhe dëgjohet universalisht.