“Dimensioni më i rëndësishëm që e karakterizon një muzikant është të qenit i pavetëdijshëm dhe spontan. Asnjëherë nuk i kam vënë vetes një detyrë, përgjatë viteve vetëdijesohesh se kush je. Unë s’kam vendosur të jem një rebel, thjesht s’mund t’i duroja njerëzit që më tregonin çfarë të bëj e të mendoj”, thotë pianisti italian, Marino Formenti e në fakt kjo është edhe filozofia e jetës së tij njësoj sikurse edhe karriera. Ka interpretuar në skena të njohura, por prej tyre është zhvendosur në ambiente krejt të tjera: prej burgjeve deri te hapësirat e braktisura. Java e tretë e korrikut e gjeti edhe në ish-Burgun e Prishtinës, aty interpretoi katër ditë e katër net, thotë se do të donte të realizonte një projekt me njerëzit nga Kosova, e për të përparuar duhet të thyhen rregullat. “Historia e muzikës është ndërruar prej njerëzve që nuk i kanë ndjekur rregullat. Po t’i ndiqnin ato, do të kishim art dhe muzikë të mërzitshme gjatë gjithë kohës”, thotë ai
Një piano e zezë që rri e hapur për çdokënd. Nuk është e vendosur aty për të dëshmuar disiplinë, por për të thyer rregullat e saj. Nuk kërkon heshtje, as nuk imponon respekt. Është një ftesë. E mbi të, një pianist që përsosmërinë nuk e ka për qejf, por i do fort momentet e gjalla njerëzore.
Marino Formenti, pianist dhe kompozitor italian që jeton në Vjenë në fund të javës së tretë të korrikut, për katër ditë ka banuar në hapësirat e ish-burgut të Prishtinës, si pjesë e projektit “What Is Light For?”, një rezidencë artistike përmes së cilës ai ka synuar t’i përjetojë kujtimet dhe tensionet e një hapësire të ngarkuar historikisht. Në vend se të zhvillojë një koncert klasik, ai, siç ngjan gjithnjë me performancat e tij, ka ftuar publikun të ulet pranë, të improvizojë bashkë me të, madje edhe të bisedojë në heshtje.
“Puna që po e bëjmë këtu për katër ditë ka për qëllim të jem i hapur për të gjithë, siç mund ta keni parë, unë luaj në instrument me këdo që vjen këtu. Kjo është një përpjekje për të treguar respekt, sepse ky vend është për njerëzit që jetojnë këtu, nëse mund të quhet skenë, është skena jonë e përbashkët, nuk është vetëm skena ime”, ka thënë pianisti e kompozitori Formenti në një bisedë të gjatë me KOHËN.
“Do të doja ta bëj një projekt me njerëzit nga Kosova dhe ata nga Serbia”
Performancat e tij nuk janë të skicuara me nota muzikore, por me ide, madje shpesh të dhimbshme, imperfekte e të gjalla. Nga tinguj të improvizuar deri te baladat që dikush nga publiku i kërkon me zë të ulët, Formenti nuk kërkon të tregojë mjeshtërinë e tij, por të dëgjojë me vëmendje.
“Për t’u përgatitur për performancat që unë i zhvilloj, më duhet të hulumtoj pak për temën në të cilën futem, për shembull për këtë projekt është dashur të interesohem e të gjej kompozitorë e muzikantë të tjerë që kanë qenë në burgje si Bachu, Amy Winehouse, David Bowie, Igor Stravinsky e të tjerë. Pastaj duhet të reflektoj për idenë e burgut, sepse njerëzit të afrohen dhe të tregojnë histori për të kaluarën, ose për burgun mental, të cilin mund ta përdorim si metaforë për lirinë dhe mungesën e lirisë”, ka shtuar ai.
Nuk e quan veten “performues”, as “kompozitor” në kuptimin e ngushtë. “Rebel” ndoshta është fjala më e afërt që përshkruan mënyrën se si vepron. Por edhe ajo nuk është zgjedhje, më shumë do të ishte refuzim i atypëratyshëm për t’u bindur.
“Historia e muzikës është ndërruar prej njerëzve që nuk i kanë ndjekur rregullat. Po t’i ndiqnin ato, do të kishim art dhe muzikë të mërzitshme gjatë gjithë kohës. Madje disa shoqëri i japin më shumë rëndësi ndryshimit, për shembull në kulturën perëndimore, historia e artit dhe e muzikës vazhdimisht është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, por edhe në kultura të tjera, si muzika tradicionale japoneze ose edhe ikonat në pikturat ortodokse ruse, ndonëse kanë ndryshuar fare pak, edhe nëpër to ka kapërcyer fryma e ndryshimit, andaj duhet të thyesh rregullat për të përparuar dhe ky është rebelimi sipas mendimit tim”, ka thënë ai.

Qasja e tij ndaj muzikës nuk është e elitës, është rrënjësisht njerëzore. Ai luan edhe kur është vetëm, por gjithmonë me mendjen te bashkëjetesa e përkohshme me dikë tjetër. “Spontaniteti e karakterizon një muzikant”, thotë ai. Me shumë qejf do të bënte projekte në vendet ku ka pasur së fundi konflikte, e madje edhe në ato që sot janë në konflikt, se, sipas tij, arti i tejkalon të gjitha barrierat që krijon politika dhe sistemet e tjera ndërshtetërore.
“Dimensioni më i rëndësishëm që e karakterizon një muzikant është të qenit i pavetëdijshëm dhe spontan. Asnjëherë nuk i kam vënë vetes një detyrë, përgjatë viteve vetëdijesohesh se kush je. Unë s’kam vendosur të jem një rebel, thjesht s’mund t’i duroja njerëzit që më tregonin çfarë të bëj e të mendoj. Them se roli i artistit tani mund të jetë që të provokojë njerëzit në thirrjen për bashkim, edhe në aspektin politik, mund të tingëllojë pak e çuditshme, por do të doja ta bëj një projekt me njerëzit nga Kosova dhe ata nga Serbia, po të isha një artist izraelit, do të punoja me palestinezë. Unë vij prej një ‘planeti’ tjetër, nga Vjena, nuk i di gjërat, nuk ma kanë vrarë nënën, vëllain, ose katundin, andaj mund të jetë e lehtë për mua të flas në këtë mënyrë, por në parim, mendoj se aty ku politika nuk zgjidh çështje, ndoshta arti mund të ndërhyjë”, thotë ai.
“Imperfeksionizmi është çelësi i jetës”
“Vëllazërimi para se të krijojmë muzikë” është një parim që ai e ndjek në çdo cep të punës së tij, nga Vjena në Prishtinë, nga Argjentina te refugjatët e të pastrehët.
“Mes tjerash, ndër performancat e mia janë të atillat ku flas vetëm me një vizitor për orë të tëra, çështja është te vëllazërimi para se të krijojmë muzikë. E them këtë pasi jam ulur pranë njerëzve nga më të ndryshmit: kam qëndruar me njerëz që janë rritur në diktaturë në Argjentinë, pas një ore kam ndenjur me një vajzë komuniste, pastaj tri ditë kam qëndruar me të pastrehë teksa më tregonin se si janë përdhunuar. Jam shumë kundër diktaturës, se jam rritur ndryshe, mirëpo fare në fund e kam pranuar atë burrë, e kam përqafuar, i kam thënë ‘për mua je një fashist, por të dua, hajde tani më sugjero diçka që do të dëgjosh dhe do të ta luaj’’, tregon ai për raportet që krijon me njerëzit që i ulen pranë, pavarësisht diferencave që mund t’i kenë.
Performanca në Prishtinë nuk është rastësi. Ëndrra për të krijuar një projekt në një burg kishte vite që e përcillte. Nuk ishte Formenti që e zgjodhi burgun, siç thotë vetë, por burgu që zgjodhi atë. Aspekti ekzistencial i burgut i ka interesuar më shumë sesa aspekti social i tij, ku takohet me njerëz që janë shumë ndryshe prej tij.
“Unë nuk kam zgjedhur të vij në këtë burg, burgu më zgjodhi mua. Njerëzit që mirëmbajnë këtë projekt më ftuan, por ëndrra për ta bërë një projekt në burg ka qenë brenda meje për shumë vite dhe më në fund u realizua”, ka thënë ai.
Dilema midis lirisë dhe strukturës është skeleti mbi të cilin ai e ndërton punën e tij. Edhe identiteti i artistit është i përkohshëm, i thyeshëm. Ai nuk beson në perfeksion.
“Imperfeksionizmi është çelësi i jetës. Është një shkrimtar që e lexoja kur kam qenë më i ri, Gregory Bateson, një antropolog, i cili thoshte se rregulli më i thjeshtë i të dalluarit nëse diçka është organike, me jetë, përkundër diçkaje joorganike është dallimi mes simetrisë dhe asimetrisë. Nëse diçka nuk ka simetri, mund të sigurohesh se nuk është e gjallë, nëse është shumë simetrike, të jesh i sigurt se është inteligjencë artificiale ose kompjuterike, ndërkaq, nëse diçka është shumë simetrike, por ka pak të meta, për shembull një gjethe që është shumë simetrike, por është pak si bojëkafe, atëherë e dallon se ajo është jeta. Mendoj se ideja e perfeksionizmit gjendet edhe në art, ndonëse ka ndërruar prej se ka nisur”, thotë ai.
“Nganjëherë uroj që Kosova të mos bëhet shumë e pasur...”
Për Formentin, muzika është një mjet, e jo qëllim. Është një mënyrë për ta parë tjetrin në sy, për të bërë pyetje që politika nuk i lejon, për të bashkuar njerëz që përndryshe nuk do të uleshin kurrë në të njëjtën dhomë.
“Idealet janë të rrezikshme sigurisht, nuk duhej të ishin, por realiteti jo gjithmonë i ka në qejf idealet. Çka ka ndodhur në këtë vend është veçanërisht mizore dhe ekstreme, por të kesh punë me të ndaluarën në art dhe në jetë, nuk po them që nuk duhet të ekzistojnë, se shtetit i duhen burgjet, ndonëse kur kam qenë 14 vjeç kam dashur të eliminohen të gjitha burgjet, por ky nuk është roli im dhe jo vetëm si artist, filozofët, shkrimtarët e madje edhe kur vjen puna te religjionet. Këto të fundit duhej ta kishin për synim çlirimin e njerëzve, por sikurse në art, edhe religjionet nuk janë ideale, mund të jenë edhe burgje”, thotë ai mes tjerash.
Për të, Kosova është një vend që po ia mëson sinqeritetin. E vlerëson mikpritjen, energjinë e të rinjve dhe faktin se, siç thotë me një buzëqeshje të përmbajtur, nuk është bërë ende si Zvicra.
“Nuk e di nëse kam mësuar mjaft gjëra prej Kosovës, me siguri jo, por mund të them ato që kam filluar t’i mësoj. Ndiej se niveli i sinqeritetit këtu është shumë i lartë në raportet njerëzore me njëri-tjetrin, nuk po them se këtu nuk gënjejnë, e kjo është diçka ndryshe, mirëpo edhe fakti se është një shoqëri që është në zhvillim, një shtet i ri, që së fundi e ka fituar pavarësinë dhe akoma nuk është njëqind për qind jashtë rrezikut dhe kjo e bën dallimin prej përvojave që kam pasur deri tani. Është një vend me njerëz të rinj e energjikë, shumë mikpritës dhe jam i sigurt që jo vetëm me mua, andaj uroj që Kosova të mos i humbë këto vlera. Nganjëherë uroj që Kosova të mos bëhet shumë e pasur. Nuk do të doja ta shoh Kosovën si Zvicrën, ose uroj që nëse bëhet e pasur si Zvicra, do të qëndrojë akoma një Kosovë në zemrën e vet dhe me siguri do të ndodhë kjo”, përpiqet ta shprehë këtë dëshirë, pa të keq.
Prej skenave madhështore në burgje e hapësira të braktisura
Marino Formenti ka studiuar piano dhe kompozim në Milano, Salzburg dhe Vjenë. Ka performuar në skena të mëdha ndërkombëtare si “Carnegie Hall” dhe Salzburger Festspiele, por një pjesë të madhe të karrierës ua ka kushtuar formave alternative të performancës, prej koncerteve 24-orëshe deri te rezidencat në burgje, hapësira të braktisura apo vende në konflikt.
“Jetën time si pianist e kam formësuar në një mënyrë origjinale dhe akoma po luftoj me veten dhe me mjedisin që më rrethon, por ndoshta njerëzit që bëjnë punën si unë janë të obliguar t’i ndjekin rregullat”, tregon ai.
Për performancat e përbashkëta që i realizon, ai tregon se janë shumë të frytshme, madje autorësinë e largon pothuaj tërësisht nga përdorimi teksa e ushtron zanatin e tij.
“Bashkautorësia është një pjesë e rëndësishme që duhet të konsiderohet, sepse unë jam trajnuar si kompozitor dhe si performues i muzikës së të tjerëve, por luaj në piano, njerëzit normalë që mendojnë se janë të zgjuar më thonë ‘sa bukur, e kujt është kjo pjesë që sapo e luajte?’, andaj këtë mund ta konsideroj si transport, se amerikanët nativë për shembull e quajnë këtë transportues, thjesht e përçojnë muzikën prej një gjenerate në tjetrën, si muzika folklorike që s’ka një emër, nuk është e askujt, e luaj unë, e luan ti dhe kur ma bëjnë pyetjen ‘e kujt është?’, u them: ‘Është e jotja!’”, thotë ai.
Po të duhej të jepte një këshillë për të gjithë njerëzit, një fjali që e përcjell muzika, të cilën ai e interpreton, do të ishte “Dëgjo! Fol më pak dhe më shumë dëgjo!”.
© KOHA Ditore
Folegjenda:
Folegjenda: