Një vepër për ambientin e humbur, që i përshtatet fort realitetit të sotëm të mjegulluar nga pandemia, është shpjegimi i parë që ia bën veprës së vet, “Another Noise”, kompozitori Memli Kelmendi. Flautistja Nina Shala e ka interpretuar atë veçmas për 11 veta. E janë po aq përvoja dhe më shumë, prej secilit që ka pasur rastin të qëndrojë i vetëm përballë flautistes, në një përvojë unike që vazhdon ta sjellë “Edicioni tektonik” i festivalit “DAM” me “Afër II”
Brenda katër mureve, dy ulëse janë të vendosura përballë. Mes tyre ka distancë të mjaftueshme. Në shikim të parë duket larg një hapësire ku mund të zhvillohet një koncert, por ata që ia kanë mësyrë galerisë “Paper” në kryeqytet të enjten pasdite, e kanë bërë pikërisht për këtë arsye. Aty është realizuar një komunikim pothuajse i pazakontë muzikor, ku ndërmjet instrumentistit dhe dëgjuesit në mes qëndrojnë vetëm tingujt.
Për flautisten Nina Shala, dhoma e parë në hyrje të galerisë ka qenë skena e saj për rreth tri orë, ku ka performuar veprën “Another Noise”. Këtë e ka bërë plot njëmbëdhjetë herë për njëmbëdhjetë persona të ndryshëm. Me secilin prej tyre ka ndarë një eksperiencë ndryshe. Shtatë minuta ka zgjatur performanca e saj për secilin dëgjues, e kjo ka tingëlluar si një lundrim muzikor ku tingujt herë arrijnë me një intensitet më të vrullshëm tek publiku e herë duket sikur zbuten qetësisht.
Tingujt e veprës kanë ngjarë sikur janë vazhdimisht në transformim, e transformimi i tyre duket sikur ka qenë misioni kryesor i kompozitorit të veprës. Kjo performancë me titullin “Afër II” është e ideuar për një muzikant dhe një dëgjues dhe ka nisur si prolog i edicionit të 15-të të festivalit “DAM”, fillimisht me koncertin e Agona Sportës në piano më 4 tetor dhe një ditë më pas me multiinstrumentistin Visar Kuçi në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren.
Për ata që e kanë dëgjuar Nina Shalën, kjo eksperiencë ka ardhur si eksplorim tingullor dhe dialog mes flautit dhe tingujve elektronikë. Në dhomën tjetër ngjitur asaj ku është zhvilluar performanca ka qenë Memli Kelmendi, i cili ka ndërvepruar me tingujt e instrumentit të flautistes për t’iu dhënë atyre një ngjyrim më modern.
Ëmbla Dana, e cila tash e tre vjet studion për flaut në Fakultetin e Muzikës ka thënë se si flautiste e re e ka përjetuar me shumë emocion këtë vepër dhe interpretimin e instrumentistes. Vepra thotë se e ka dërguar nëpër situata të ndryshme.
“Së pari ishte shumë ndjenjë e veçantë ta dija se dikush po luante vetëm për mua dhe e kuptoja më mirë edhe flautisten, edhe kompozitorin. Për mua vepra erdhi si tingull shumë i mirë dhe më solli mendime të llojllojshme, që u përcoll me momente më intensive dhe fundi që ishte më i qetë”, ka thënë Dana një minutë pasi ka mbyllur derën e dhomës për t’ua lënë vendin dëgjuesve të tjerë.
Memli Kelmendi nëpërmjet tingujve elektronikë ka realizuar një komunikim më ndryshe muzikor me flautisten që e ka ndarë veç një mur. Këtë formë të komunikimit muzikor në distancë me instrumentistin dhe dëgjuesin, Kelmendi i cili është edhe kompozitor i veprës “Another Noise”, e ka përshkruar si një komunikim përmes tingujve në formë emocionale. Kelmendi ka thënë se vepra përshkruan një ambient të humbur.
“Vepra përshkruan një ambient që ka një konotacion kontomporan brenda vetes, dhe përmes efekteve kam dashur që ta krijoj një gjuhë krejt tjetër. Kam dashur që flauti me qenë në tingullin klasik në notacion dhe unë përmes elektronikës dhe përmes efekteve vazhdimisht t’i gjeneroj ata tinguj dhe t’i transformoj në mënyra të ndryshme. Përmes efekteve të ndryshme kam bërë që dëgjuesi ta dëgjojë veprën edhe në aspektin konkret edhe të transferueshëm”, ka thënë Kelmendi.
Kur organizimi i koncerteve ka ndryshuar formën, ky aktivitet i titulluar “Afër II” e ka vënë përballë dëgjuesin me instrumentistin brenda një hapësire të vogël si provokim për hapësirën e ngushtuar të veprimit për muzikantë në kohën e COVID-19. Nga jashtë muzika mund të dëgjohet, por muzikanti dhe dëgjuesi nuk duken, duke krijuar kështu një raport të afrimit nëpërmjet tingujve në kohën kur distanca është refreni i përditshmërisë.
Instrumentistja Nina Shala në çdo largim të instrumentit nga vetja për t’i shijuar duartrokitjet e publikut ka marrë një ndjesi ndryshe. Këtë e ka përsëritur për njëmbëdhjetë herë. Emocionet e këtij koncerti Shala ka thënë se janë përtej atyre të çdo koncerti ku ka luajtur më parë. Interpretimi i saj thotë se është ndikuar mjaft nga energjia e secilit që ka pasur përballë.
“Kjo vepër përshtatet shumë me gjendjen emocionale në të cilën jemi tash në kohë të pandemisë. Ka emocione të përziera, nganjëherë duket që je e futur në errësirë dhe pas disa sekondash vetëm del në dritë. Është vepër shumë interesante dhe çdo herë që po e përsëris po me jep ndjenjë ndryshe. Kjo, për shkak të veprës që është moderne dhe për shkak të energjisë së dëgjuesit”, ka thënë flautistja Nina Shala për KOHËN.
Fiks në orën 16:00, Besa Llugiqi ka qenë brenda dhomës ku vepra “Another Noise” tashmë ishte interpretuar edhe për gjashtë veta të tjerë. Sopranoja e njohur këtë performancë ka thënë ta ketë përjetuar duke e menduar veten në rolin e flautistes që ka pasur përballë. Kureshtja ka thënë se e kishte nxitur që të enjten ta rezervonte kohën për këtë performancë.

“Ishte përjetim shumë i rrallë, komunikimi është më direkt pasi që e sheh instrumentisten si në rëntgen, e sheh mimikën, dhe e dëgjon frymëmarrjen e saj”, ka thënë Llugiqi jo pak e emocionuar, teksa ka theksuar se kjo do të jetë përvojë që s’do ta harrojë kurrë.
Llugiqi ka thënë se pavarësisht që ideja e një koncerti të tillë ka buruar si pasojë e situatës me pandeminë, koncerte të tilla duhet të vazhdojnë edhe pas normalizimit të gjendjes.
“Jo domosdoshmërisht publiku duhet të jetë i madh. I rëndësishëm është komunikimi dhe ndjenja që e përçojmë tek njëri- tjetri”, ka shtuar Llugiqi.
Edicioni i 15-të i festivalit “DAM” i mbiemëruar si “Edicion tektonik” është hapur zyrtarisht në tetor me dokumentarin e titulluar “Julijana”, i cili ka zbërthyer jetën e mexosopranos së famshme serbe që erdhi në Prishtinë më 1983 për të ligjëruar në Fakultetin e Arteve. Dokumentari i shfaqur në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren kishte shpalosur detaje nga jeta e Julijana Anastasijeviqit në Kosovë, e cila gjatë regjimit serb kishte zgjedhur që të ligjëronte për studentët shqiptarë në sistemin paralel e jo për ata që ndiqnin mësimet në sistemin e regjimit të Serbisë.
Porse ndryshe nga edicionet e viteve të kaluara, “DAM”-i sivjet ende nuk e ka një datë definitive se kur do të përfundojë.
Drejtoresha e Festivalit, Rreze Kryeziu, ka thënë se nëpërmjet aktiviteteve janë munduar ta ruajnë lidhjen që kanë ndërtuar me publikun gjatë viteve dhe në të njëjtën kohë ta luftojnë zbrazëtinë e aktiviteteve të muzikës profesionale gjatë pandemisë.
“Ne e kemi lënë të hapur mbylljen e edicionit të 15-të me një dëshirë dhe motiv të madh e kemi menduar që mbyllja e këtij edicioni do të jetë hapja e edicionit të ardhshëm të Festivalit, ku dhe do ta shënonim edhe 15-vjetorin e festivalit tonë. Jemi munduar që ta realizojmë qoftë serinë koncertale, qoftë evente dhe koncerte të tjera deri në realizimin e dokumentarëve, në mënyrë që ta ruajmë afërsinë me publikun pasi që lidhja mes tyre mbetet mbi të gjitha në kuadër të këtij profesioni”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.
Projekti “Afër II” do të vazhdojë ta përballë instrumentisten Nina Shala edhe me dëgjues të tjerë. Më 26 nëntor dhe 3 dhjetor, dëgjuesit mund të bëhen pjesë e “Edicionit tektonik” të festivalit “DAM”, duke e përjetuar një performancë intime me flautisten në galerinë “Paper” në Prishtinë.