Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se deputetët e partisë së tij nuk do të jenë të pranishëm në seancën e të mërkurës në Kuvend për shkak se është jokushtetuese dhe joligjore. Në seancën e orës 11:00 parashihen pikat për formimin e komisioneve, buxheti e marrëveshjet ndërkombëtare.
Gruda ka shtuar se pavarësisht çfarëdo vullneti politik të grupeve parlamentare, këto pika nuk mund të shkojnë përpara sepse janë antikushtetuese dhe antiligjore.
“Nuk mund të ketë marrëveshje politike që t’i kalojë Kushtetutën dhe ligjin, këtu nuk ka terren për marrëveshje. Nuk është çështja a kemi vullnet a jo, Kushtetuta dhe ligji ekzistojnë për të kornizuar pushtetin politik, për të ditur kufijtë e veprimit politik. Nëse ky veprim politik mund të shkojë edhe përtej Kushtetutës e ligjit, atëherë nuk jemi më shoqëro që bazohet në Kushtetutë e ligj”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Gruda ka thënë se edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje e di se seanca e orës 11:00 e thirrur për të mërkurën është jokushtetuese.
“Çdo ministër në këtë qeveri, kryeministri dhe deputetët e VV-së e dinë se seanca e nesërme është jokushtetu7ese dhe joligjore, por gjithçka bëhet në funksion të propagandës dhe fushatës për zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, ka thënë se procedimi i pikave për buxhetin a komisionet të mërkurën do të ishte “teatër”.
“Nesër mund të kemi një situatë absurde ku kryeministri dhe ministri i Financave në detyrë mund të dalin në foltore dhe ta paraqesin projektligjin për buxhetin, prej aty ulen në rreshtin e parë dhe votojnë si deputetë. Ky është teatër”.
Dy seanca të ndara do të mbahen të mërkurën me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, në ditën e fundit të afatit kushtetues për krijimin e Qeverisë. Në seancën e parë ku do të synohet formimi i komisioneve që i hapin rrugë sidomos shqyrtimit të buxhetit, subjektet politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Të njëjtat, ndonëse kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e dytë janë deklaruar se nuk kanë votë për Qeverinë Konjufca. Nëse dështon votimi për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Gruda ka thënë tutje se deklarata e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për vijat e kuqe ndaj partive të tjera nuk duhet të keqkuptohet. Ai ka shtuar se PDK-ja nuk hyn në koalicion për Vetëvendosjen.