Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme që po mbahet me pikë të rendit të ditës për formimin e komisioneve parlamentare, është antikushtetuese.
Si i vetmi deputet i partive që deri tash ishin në opozitë që po merr pjesë në këtë seancë, Grua ka thënë se asnjë kuvend nuk mund të mbajë seanca pa zgjedhur qeverinë.
“Nuk mund të trajtohen çështje të tjera pa formimin e Qeverisë. Është standard i njohur në mbarë botën”, ka thënë ai.
Sa i përket rendit të ditës, ai ka thënë se qeveria aktuale nuk ka të drejtë të propozojë buxhetin. “Ky Kuvend nuk ka lidhje me qeverinë ekzistuese”, ka thënë Gruda.
Ai ka thënë po ashtu se formimi i komisioneve është i pamundshëm për shkak se siç ka thënë, nuk dihet kush është pushtet e kush opozitë.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se fakti që deputeti Gruda është në seancë edhe pas konferencës së Vlora Çitakut e cila tha se nuk do të marrin pjesë, tregon disonancën mes partisë.
“Pra me gjasë kanë vlerësuar se nuk ka bërë punë të mirë në konferencë dhe ka ardhur këtu”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Gruda tha se për të gjitha komisionet përveç dy prej tyre, komisioni për mbikëqyrje të AKI-së dhe ai për Financa Publike, nuk ka rënësi kush është pozitë apo opozitë.