Showbiz

Meek Mill ua paguan lirimin me kusht 20 grave të burgosura

Për reperin amerikan, Meek Mill, i cili e di shumë mirë se si është të jesh larg shtëpisë gjatë festave të fundvitit, koha që kaloi i mbyllur prapa grilave shërbeu si shtysë për t’i ndihmuar disa familje që ta shmangin të njëjtën përvojë.

Këtë vit, reperi vendosi t’ua paguaj lirimin me kusht 20 grave nga Filadelfia, pesë prej të cilave u liruan nga Qendra Korrektuese “Riverside” të premten, në mënyrë që t’i kalojnë festat pranë familjes. Të tjerat do të lirohen gjatë javës së ardhshme.

“Kur isha në burg, ishte një përvojë shkatërruese për mua të qëndroja larg djalit gjatë festave të fundvitit. Prandaj, unë e kuptoj shumë mirë se çfarë po kalojnë këto gra dhe familjet e tyre në këto kohë. Askush nuk duhet t'i kalojë pushimet në burg thjesht sepse nuk mund ta përballojë pagesën e lirimit me kusht. Unë jam mirënjohës që i kam mundësitë për t’i ndihmuar këto gra të jenë me familjet dhe të dashurit e tyre gjatë kësaj periudhe të veçantë të vitit”, deklaroi Mill, emri i vërtetë i të cilit është Robert Rihmeek Williams.

Meek u dënua në vitin 2008 për shpërndarje droge dhe armëmbajtje, një dënim i cili u hodh poshtë në vitin 2019. Pas lirimit nga burgu, reperi u bë aktivist për reformën në drejtësinë penale. Në të njëjtin vit, së bashku me filantropë dhe aktivistë të tjerë, duke përfshirë reperin Jay-Z dhe biznesmenin, Michael Rubin, Meek Mill e themeloi “REFORM Alliance”, një organizatë jofitimprurëse që synon ta transformojë provën dhe lirimin me kusht, duke i ndryshuar ligjet, sistemet dhe kulturën, për të krijuar kushte reale për të dënuarit për të punuar dhe për mirëqenien e tyre.