Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Më në fund prezantohet “Fargo” i ri

Kemi pritur shumë kohë që sezoni i katërt i serialit “Fargo” të arrijë në ekranet e vogla, por pritja do të marrë fund së shpejti pasi që sezoni i ri më në fund është prezantuar me trailerin e parë dhe më në fund e dimë se do të arrijë në ekranet e vogla këtë prill.

Pamjet e para të paraqitura në trailer na çojnë në vitet ’50 të shekullit të kaluar, në Kansas, ku mafia italiane dhe afrikano-amerikane luftojnë për dominim.

Në stilin klasik të “Fargo”, sezoni i ri na sjell një varg aktorësh të rinj të udhëhequr nga Chris Rock si Loy Cannon, udhëheqësi i familjes mafioze afrikano-amerikane, shkruan KOHA Ditore. Jason Schwartzman është Josto Fadda, djali i shefit të mafias italiane, ndërsa Ben Wishaw është Rabbi Milligan. Jack Huston është detektivi Odis Weff, ndërsa E'myri Crutchfield do të jetë busulla morale këtë sezon në rolin e Ethelrinda Pearl Smutny. Jessie Buckley na sjell infermieren e pazakontë Praetta Mayflower.

Sezoni i fundit flet për dy organizatat e krimit që janë në luftë, të cilat po "luftojnë për një pjesë të ëndrrës amerikane" në Kansas, ku e arrijnë një armëpushim të pazakontë, pasi i zëvendësojnë djemtë e tyre të parëlindur. Se si do të dalë kjo vetëm Noah Hawley e di.

Se çfarë na pret në sezonin e ri të “Fargo” këtë do ta mësojmë më 19 prill, kur seriali të fillojë me shfaqjen e tij.