Ekipi i Sean “Diddy” Combsit ka mbyllur për vetëm 20 minuta paraqitjen në gjyqin në të cilin reperi akuzohet për trafikim seksual.
Prezantimi i tyre i shkurtër erdhi pas argumenteve dhe dëshmive të dëshmitarëve të Prokurorisë federale në New York për rreth shtatë javë.
Ekipi mbrojtës i reperit P. Diddy ka thënë se nuk ka prova për asnjë akuzë ndaj tij dhe se i ka mohuar të gjitha. Sipas mbrojtjes, gjykata duhet ta pushojë menjëherë çështjen ndaj reperit.
Vetë Combs ka konfirmuar se nuk do të dëshmojë në gjyqin e tij. “Është vendim i imi, bashkë me avokatët”, ka thënë ai.
Combs është deklaruar i pafajshëm në akuzat për trafikim seksual, shantazh e prostitucion. Rrezikon burgim të përjetshëm nëse dënohet për skemën.
Duke folur për herë të parë të martën, Combs ka thënë se gjykata po bën punë të shkëlqyeshme.
Sipas Prokurorisë, Combs ka përdorur statusin e tij prej të famshmi dhe biznesin për të udhëhequr një zinxhir kriminal për të trafikuar seksualisht gra dhe për të fshehur krimet. Gjatë rastit gjyqësor, folën më shumë se 30 dëshmitarë.
Mbrojtja nuk e ka thirru asnjë dhe në vend të kësaj ka publikuar mesazhe telefoni mes Combsit dhe ish të dashurave të tij. Qëllimi ishte që të tregohej se ish të dashurat e Combsit kanë marrë pjesë me dëshirë në ndejat që janë quajtur “të çmendura”.