Showbiz

Mbërrijnë pamjet e para për serialin e ri “Dracula”

BBC dhe Netflix kanë publikuar teaser trailerin e parë të shkurtër për adaptimin e tyre të ri për personazhin e famshëm letrar, Dracula, dhe duhet ta pranojmë se kuadrot e para janë po aq rrëqethëse ashtu siç e prisnim.

Videoja e frikshme na sjell aktorin Claes Bang në rolin e vampirit nga titulli, i cili në një moment i afrohet viktimës së tij të radhës dhe i thotë të riut të tmerruar që "të përpiqet të qëndrojë i qetë", shkruan KOHA Ditore. Supozojmë se dimë se çfarë e pret atë saktësisht.

Krijuesit e serisë janë Steven Moffat dhe Mark Gatiss, për të cilët kjo është seria e parë e re në të cilën punojnë së bashku pas Sherlockut jashtëzakonisht të suksesshëm me Benedict Cumberbatch në rolin kryesor. Sipas modelit të Sherlockut, edhe Dracula do të prezantohet në tre episode.

Së bashku me Bang në rolin kryesor, në seri luajnë edhe John Heffernan, Dolly Wells dhe Joanna Scanlan, si dhe Morfydd Clark, Sacha Dhawan, Jonathan Aris, Nathan Stewart-Jarrett, Lyndsey Marshal, Chanel Cresswell, Matthew Beard dhe Lydia West.

Seria e re Dracula për publikun jashtë Britanisë së Madhe do të jetë në dispozicion në Netflix, por ende nuk dihet se kur mund ta presim publikimin e saj.