Aktori i njohur i Hollywoodit, Matthew McConaughey, ka treguar se një gotë tequila i dha guximin e nevojshëm për t’iu afruar bashkëshortes së tij, modeles braziliane Camila Alves.
Dyshja u takuan për herë të parë në një bar në Los Angeles në vitin 2006.
“U takuam pothuajse dy dekada më parë. E pashë Camilan nga ana tjetër e lokalit dhe nuk mendova ‘kush është ajo?’, por ‘çfarë është ajo?’. Tequila më dha guximin për ta thirrur dhe prej asaj kohe kemi qenë bashkë”, ka thënë aktori në një intervistë për revistën australian Stellar, ka raportuar FemaleFirst.
Çifti u martua në vitin 2012 dhe sot janë prindër të tre fëmijëve. Ata madje kanë nisur edhe një biznes të përbashkët, markën e tyre të tekilës “Pantalones”.
Megjithatë, romanca e tyre pati fillim të vështirë.
Camila ka treguar se marrëdhënia me vjehrrën e saj, Mary Kathlene “Kay” McCabe, nuk ishte aspak e lehtë.
“Ajo bëri shumë gjëra kur unë u shfaqja për herë të parë. Më testonte, vërtet më testonte. Më thërriste me emrat e ish-të dashurave të Matthewt, fillonte të fliste spanjisht me mua në mënyrë të çuditshme, si për të më ulur. Gjithfarë gjërash”, pati thënë ajo në podcastin Southern Living’s Biscuits Jam.
Megjithatë, me kalimin e kohës, marrëdhënia mes tyre u forcua.
“Tani kemi marrëdhënie të mrekullueshme. Kam shumë respekt për të dhe ajo ka shumë respekt për mua. Mund të bëhet e vështirë ndonjëherë, por gjithmonë e mbyllim me të qeshura e shaka”, ka shtuar Alves.
Edhe aktori e ka mbrojtur qëndrimin e nënës së tij, duke shpjeguar se kjo është pjesë e traditës së familjes McConaughey.
“Familja ime beson shumë te provat që duhen kaluar në fillim. Nuk hyn dot lehtë në familjen McConaughey. Ne të testojmë. Madje edhe brenda familjes sonë e bëjmë këtë. Nëna është një prej nesh. Familja jonë pret me durim, të bën të qash, e pastaj të ngre lart dhe të bën pijen tënde të preferuar. Kështu kemi funksionuar gjithmonë”, pati thënë ai për ET Canada.