Matt Sorum njoftoi se memoaret e tij do të publikohen më 7 prill, me titullin “Double Talkin 'Jive: True Rock 'N' Roll Stories From the Drummer of Guns N' Roses, the Cult and Velvet Revolver”.
Libri e përmban një parathënie nga Billy Gibbons i “ZZ Top”. Botuesi Chicago Review Press thotë se "libri i shmang të gjitha klishetë e zakonshme të biografive të rockut".
"Kontrabanda me kokainë, të shtënat me armë dhe ndejat dekadente të pafundme: Double Talkin’ Jive nga Matt pothuajse mund të përshkruhet si ekuivalent autobiografik i filmit Blow", pohon kompania. "Por në vend se të bëhej kontrabanduesi kryesor i drogës, Matt Sorum bëhet baterist me famë botërore".
Rrëfimi flet për Sorumin pasi që e "braktis shkollën e mesme për t'u bërë baterist, por kthehet në shitës të marihuanës për ta mbështetur veten, dhe më vonë për të kontrabanduar sasi të mëdha kokaine".
Një vit pasi u bashkua me “The Cult”, ai u angazhua nga Slash dhe Duff McKagan për ta zëvendësuar Steven Adler në GNR, pikë në të cilën jeta e tij u "transformua" - por kur frekuentimi në studio i Axl Rose u bë jostabil, bendi "shkoi drejt greminës ", shkruan KOHA Ditore. Libri vazhdon përmes formimit të Velvet Revolver, qëndrimit të përkohshëm të Sorum në Motorhead dhe krijimit të super bendit të tij “Kings of Chaos”.
"Gjatë kohës të tij si baterist profesionist, Matt lufton me varësitë e alkoolit dhe kokainës, por njoftimi me të dashurën, Ace Harper, e ndihmon atë të arrijë t’i lërë këto vese," thuhet në deklaratë.
Në vitin 2018, Sorum tha se ai kishte menduar ta titullonte librin “Rock 'n' Roll Smuggler”. "Para se të isha në një bend rocku, unë isha një kontrabandues droge", tha ai. "Unë kam kontrabanduar kokainë përtej kufijve. Do të fluturoja me aeroplan me dy kilogramë të mbështjellë në bel”.
Ai vuri në dukje se herën e fundit që i kontrabandoi "dy kilogramë në Hawaii, e mbaj mend që mendoja se po më ndiqnin, dhe nuk ishte sepse isha paranojak në kokainë - me të vërtetë e ndjeva se po më ndiqnin. I thashë tipit për të cilin po i transportoja këto gjëra - unë isha “mushka”, dhe m’i jepnin disa mijëra dollarë sa herë që shkoja – ‘Nuk mund ta bëj këtë. Jam duke u ndjekur’. Ai më tha, ‘Mik, ti je i droguar’. Unë i them, 'Jo. Nuk do ta bëj. Po kthehem në L.A.' Ai që e zuri vendin tim u arrestua. Njëzet vjet në burg federal, kontrabandë ndërkombëtare e drogës. Ai do të kisha qenë unë."