Kulturë

“The Salt Path” dhe librat më skandalozë të vitit 2025

Salt PAth

Mbase një nga skandalet më të mëdha letrare të vitit që shkoi lidhet me memoarin e Raynor Winn “The Salt Path”. Libri i botuar për herë të parë në vitin 2018, tregon historinë e Raynor Winn dhe burrit të saj Moth, të cilët ecën për mbi një mijë kilometra përgjatë rrugës së bregut jugperëndimor në Britaninë e Madhe

Historitë personale ishin të popullarizuara dhe të fuqishme në vitin 2025, por disa polemika kanë ngritur pyetje për të ardhmen e zhanrit të memuareve.

Historitë personale mund të jenë shumë të fuqishme, dhe kjo nuk ka qenë asnjëherë më e dukshme se në vitin 2025. Gjatë 12 muajve të fundit, kujtimet shpesh kanë qenë tituj të gazetave për historitë që u treguan  ashtu edhe për detajet që u anashkaluan.

Në pranverë, Sarah Wynn-Williams me librin e saj “Careless People”, një shpalosje mbi kohën që kaloi duke punuar si udhëheqëse në “Meta”, kompaninë që qëndron pas “Facebook” dhe “Instagram”, u bë bestseller, pavarësisht urdhrit që ndalonte të bëhej reklamë për të.

Më pas, autobiografia e Virginia Giuffre – “Nobody’s Girl”, e cila përshkruan abuzimin e saj seksual nga Jeffrey Epstein dhe rrethina e tij si dhe përfshin akuza kundër Andrew Mountbatten-Windsor të cilat ai i ka mohuar gjithmonë, u shit në një milion kopje brenda dy muajve. Ky libër intensifikoi presionin për t’i hequr titujt ish-princit, kërkesë që u realizua në fund të tetorit.

Libri “107 Days” i Kamala Harris, një rrëfim i fushatës dështuese presidenciale të saj, tërhoqi shumë vëmendje për kritikat e saj ndaj Joe Biden. Po ashtu, viti pati edhe libra autobiografikë që bënë nam nga Margaret Atwood, Malala Yousafzai dhe Jacinda Ardern, si dhe histori të prekshme jete si “Mother Mary Comes to Me” nga Arundhati Roy dhe “Things in Nature Merely Grow” nga Yiyun Li, rrëfim për humbjen e dy djemve të saj nga vetëvrasja.

Po viti 2025 ishte gjithashtu viti kur memoaret tërhoqën vëmendje për arsyet e gabuara. Gazetarja Olivia Nuzzi publikoi librin e shumëpritur “American Canto”, që ndër të tjera përshkruan “romancën digjitale” me Robert F. Kennedy, i cili cilësohet nga kritikët si “jashtëzakonisht i tmerrshëm” duke shitur më pak se një mijë e 200 kopje në javën e parë.
Në shtator, “New York Times” ka publikuar një artikull që ngrinte dyshime mbi memoarin “The Tell” të Amy Griffin, një libër që kishte mbështetje nga figura të njohura si Oprah Winfrey, Gwyneth Paltrow dhe Reese Witherspoon. Ky libër përshkruan abuzimin seksual që Griffin kishte përjetuar në fëmijëri, bazuar në kujtime të rikuperuara gjatë seancave të terapisë

Skandali i “The Salt Path”

Mbase një nga skandalet më të mëdha letrare të vitit që shkoi lidhet me memoarin e Raynor Winn  “The Salt Path”. Libri i botuar për herë të parë në vitin 2018, tregon historinë e Raynor Winn dhe burrit të saj Moth, të cilët ecën për mbi një mijë kilometra përgjatë rrugës së bregut jugperëndimor në Britaninë e Madhe. Në libër, lexuesit mësojnë se çifti humb shtëpinë e tyre pas një investimi të dështuar dhe një mosmarrëveshjeje ligjore me një mik të tyrin. Për t’u bërë gjërat më keq, disa ditë më pas Moth diagnostikohet me një sëmundje neurologjike. Duke ditur se nuk kishte më asgjë për të humbur, ata vendosin të nisen në këmbë. Deri në fund të udhëtimit të tyre, një i huaj u ofron një vend për të jetuar dhe simptomat e Moth fillojnë të përmirësohen dukshëm.

Lexuesit u dashuruan me narrativën e triumfit mbi tragjedinë, të cilën botuesit e quajtën “shumë të sinqertë”. Ky libër ka shitur më shumë se dy milionë kopje dhe është përkthyer në më shumë se 25 gjuhë. Raynor Winn publikoi më pas edhe dy libra të suksesshëm “The Wild Silence” dhe “Landlines”. Në pranverë të vitit të kaluar u shfaq një film i bazuar në “The Salt Path” me Gillian Anderson dhe Jason Isaacs në rolet kryesore.

Por në muajin korrik, gazeta britanike “The Observer” publikoi një hulumtim që vuri në dyshim saktësinë dhe sinqeritetin e librit. Dokumentet dhe intervistat zbuluan se çifti, emrat e vërtetë të të cilëve janë Sally dhe Tim Walker, humbën shtëpinë e tyre pasi Raynor kishte marrë një kredi për të paguar qindra mijëra funte të cilat akuzohej se i kishte vjedhur nga punëdhënësi i saj. Po ashtu gazetarja Chloe Hadjimatheou ka biseduar me neurologë që shprehën dyshime se simptomat e Moth mund të ishin kthyer  ose që ai mund të ishte ende i shëndetshëm, 18 vjet pas diagnostikimit.
Raynor Winn ka dalë me një deklaratë të gjatë në faqen e saj të internetit, duke e quajtur hulumtimin “jashtëzakonisht të padrejtë dhe shumë mashtrues”, duke thënë se “The Salt Path” ishte “rreth një kapsule kohe kur jetët tona kaluan nga një vend i plotë dëshpërimi në një vend shprese”.

Në të njëjtin muaj, një hetim tjetër nga gazetarja Hadjimatheou dhe një dokumentar i ri me titull “The Salt Path Scandal” nxorën më shumë zbulime, duke përfshirë një letër rrëfyese nga Raynor Winn, e siguruar nga mbesa e saj, ku duket se ajo pranon se ka vjedhur para nga nëna e saj dhe nga prindërit e burrit të saj. Në një tjetër deklaratë Raynor mohon akuzat, duke thënë: “Nuk kam vjedhur nga familja… As kam pranuar ta bëj këtë dhe nuk kam shkruar letrën e cila thotë se kam bërë kështu”.

Por ky rrëfim nuk jep shenja se do të shuhet pasi një seri “podcast” do të dalë këtë vit. Hadjimatheou e cila planifikonte një udhëtim raportimi në Siri kur një mesazh në “Instagram” e njoftoi për historinë e “The Salt Path”, e quajti këtë “një nga shkrimet më të mëdha të karrierës gazetareske”.

Në fillim, pati raportime që libraritë ofronin rimbursime për lexuesit që ndiheshin të tradhtuar. Megjithatë, pas hulumtimit, “The Salt Path” u ngjit sërish në listën e librave më të shitur. Kinematë vazhduan të shfaqin filmin. Sot, ende mund të gjendet ky memoar në disa librari.

Në dokumentar, Hadjimatheou pyet lexuesit në një festival letrar për reagimet e tyre ndaj skandalit. Disa janë të shokuar, por shumë të tjerë nuk duket se janë të prekur nga akuzat. “Është një libër për një shëtitje. Nuk është diçka që ndryshon jetën. Shijojeni librin”, thotë njëri. “Në çdo histori gjithmonë ka diçka fiktive që shtohet”, thotë një tjetër.

Debati mes faktit dhe fantazisë

Kjo sagë ka ndezur diskutime se sa të vërteta duhet të jenë memoaret, një debat që lind gjithmonë kur ka një histori të tillë. Në vitin 2006, pasi memoari i James Frey me titull “A Million Little Pieces” u zbulua të ishte i sajuar në disa pjesë ai kishte thënë se e bërë këtë  ai tha se e bëri këtë "për t’i shërbyer asaj që e ndjeja si qëllimin më të madh të librit”.

Në fillim të vitit të kaluar, shkrimtarja Lily Dunn botoi librin “Into Being”, kushtuar artit të memoarit. Libri erdhi si rrjedhojë e dhjetë viteve mësimdhënie dhe mentorimi në këtë zhanër, si dhe nga përvoja e saj personale me memoarin “Sins of My Father: A Daughter, a Cult, a Wild Unravelling” i vitit 2022.

“Jam disi e fiksuar pas tij”, ka thënë ajo. “Prej vitesh nuk kam lexuar pothuajse asgjë tjetër përveç memoareve”, ka shtuar më tej,

Për Dunn, ekziston një lidhje e veçantë mes lexuesit dhe autorit që ndan përvoja intime dhe shpesh të dhimbshme në faqe libri. “Memoaret mund të bëhen shumë më të rëndësishëm sesa historia që tregojnë, për sa i përket ndikimit në jetë, ndryshimit të ligjeve apo mënyrës se si i shohim disa gjëra”, ka thënë ajo. “Libri im çoi në një dokumentar, i cili më pas u shndërrua në një platformë për zërat e të tjerëve. Një memoar mund të vazhdojë të ketë jetë përtej teje, dhe kjo e bën atë jashtëzakonisht të fuqishëm”.

Ajo u habit nga disa reagime ndaj zbulimeve për “The Salt Path”.

“Kishte qëndrime të tipit: ‘Po ç‘rëndësi ka?’. Për mua, elementi më i rëndësishëm në përkufizimin e memoarit është ndershmëria. Besimi mes rrëfimtarit dhe lexuesit është thelbësor. Sigurisht, të gjithë i kujtojmë gjërat ndryshe dhe memoari është shumë subjektiv. Por memoaret më të mirë janë ata që e pranojnë këtë dhe e eksplorojnë përmes vetë shkrimit”, ka thënë Dunn.

Besimi kërkohet edhe mes autorit dhe redaktorit – veçanërisht pasi pak botues verifikojnë çdo detaj. Michael Joseph nga “Penguin” ka thënë se “kujdesi i duhur” për botimin e “The Salt Path” përfshinte një klauzolë mbi saktësinë faktike në kontratën e autorit dhe një lexim para botimit.

Amelia Fairney, ish-drejtoreshë e komunikimit në “Penguin Books”, e cila tani punon për një organizatë që lufton dezinformimin, ka shkruar në “The Observer” se “botimi ka probleme me verifikimin e fakteve”, duke sugjeruar se fitimi shpesh vjen përpara së vërtetës. Ajo shkruante se “të ngrije dyshime mbi autenticitetin e një autori me status kaq fitimprurës sa Raynor Winn do të kërkonte guxim të jashtëzakonshëm”.

Si redaktore e asociuar e “The Bookseller”, Caroline Sanderson ka kaluar 25 vjet duke redaktuar dhe recensuar memoare. Këtë vit ajo botoi edhe një të sajin: “Listen With Father: How I Learned to Love Classical Music”.

Ajo mendon se ka pyetje serioze që duhet të marrin përgjigje lidhur me “The Salt Path” dhe nëse lexuesit janë mashtruar, por shqetësohet se një rast i vetëm mund të njollosë të gjithë zhanrin e memoarit. Sidomos sepse, për të, kufiri mes trillimit dhe jofiksionit është gjithmonë i paqartë.

“Jam kampione e madhe e idesë se trillimi dhe jofiksioni nuk qëndrojnë në pole të kundërta të universit”, ka thënë ajo. “Ka shumë romane – shpesh romane debutuese – që janë thellësisht autobiografike në natyrë. Ka edhe shumë libra jofiksion që mund të quhen imagjinarë.

“Nëse themi se memoaret duhet të jenë vetëm dhe ekskluzivisht fakte të sakta, atëherë përjashtojmë një pjesë të madhe të krijimtarisë narrative”, ka thënë Sanderson.

Shpërthimi i “natyrës shëruese”

Vitet e fundit ka pasur një rritje të librave që ndërthurin rrëfimin personal me shkrimin mbi natyrën, përfshirë “Raising Hare” nga Chloe Dalton, “H is for Hawk” nga Helen Macdonald dhe “The Outrun” nga Amy Liptrot – dy të fundit janë përshtatur edhe në filma artistikë.

Historia e “The Salt Path” për qëndresën ndaj fatkeqësive është veçanërisht joshëse, por pasojat e skandalit kanë ngritur pyetje mbi narrativat që promovojnë fuqinë shëruese të natyrës.

Në një shkrim për “LitHub”, memoaristja dhe shkrimtarja e natyrës Polly Atkin, autore e “Some of Us Just Fall: On Nature Writing and Not Getting Better”, ka shkruar se “shkrimi për natyrën pranon sëmundjen në faqet e tij vetëm kur kjo shërben për të treguar natyrën duke kryer një shërim mrekullibërës”.

James Rebanks, autor i “The Shepherd’s Life” dhe “The Place of Tides” ka thënë: “Mua më duket më interesant (shkrimi për natyrën) kur ka më pak të bëjë me shpengimin personal dhe më shumë me pasqyrimin e gjërave të mëdha që më interesojnë: politika, ekonomia dhe ajo që po ndodh realisht në botë”.

Atkin dhe shkrimtarë të tjerë po zgjerojnë kufijtë e memoarit të natyrës. “Undercurrent” nga Natasha Carthew rrëfen fëmijërinë e saj në varfëri rurale, ndërsa vitin e ardhshëm do të botohet “Rough”, që shqyrton historitë e patreguara të komuniteteve bregdetare të Britanisë. “A Flat Place” nga Noreen Masud përdor peizazhet e hapura britanike për të eksploruar traumën emocionale dhe për të reflektuar mbi rritjen e saj në Pakistan dhe Skoci.

Për Sanderson, këto lloj historish personale na ndihmojnë të mendojmë për çështje më të mëdha në mënyra që librat e aktualitetit apo historisë nuk munden. Duke parë drejt vitit 2026, ajo është e entuziazmuar për “Lifeboat at the End of the World” nga Dominic Gregory, memoar debutues i një vullnetari të RNLI-së (Institucioni Mbretëror i Varkave të Shpëtimit). “Është gjëja më tronditëse që kam lexuar për krizën e varkave të vogla. Ndihem më e informuar pasi e lexova këtë libër, dhe është shkruar bukur”, ka thënë Sanderson.

Viti 2026 pritet të sjellë edhe më shumë memoare që do të bëjnë bujë, nga histori të fuqishme si “Hymn to Life” e Gisèle Pelicot, e mbijetuar e dhunimit, deri te botime nga emra të njohur si Lena Dunham dhe Liza Minnelli.

Sa i përket pyetjes nëse skandali i “The Salt Path” do t’i bëjë botuesit më të kujdesshëm për të porositur histori reale, Sanderson shpreson që jo. Në një botë të copëzuar dhe me inteligjencën artificiale që po e shtrembëron gjithnjë e më shumë ndjesinë tonë të realitetit, përvojat njerëzore janë më të rëndësishme se kurrë.

“Të lexosh historitë e të tjerëve dhe të kuptosh jetën e tyre është diçka për të cilën kemi urgjentisht nevojë”, ka thënë ajo.