Showbiz

Marveli kërkon të largohet nga beteja ligjore mes Blake Livelyt dhe Justin Baldonit

Marvel - Jessica Baldoni - Blake Lively

Studioja e filmave “Marvel” ka kërkuar zyrtarisht të largohet nga përplasja ligjore mes aktorëve Blake Lively dhe Justin Baldoni, të cilët luajnë së bashku në filmin “It Ends with Us”. Ata janë në një konflikt të ashpër gjyqësor.

Në qendër të çështjes është personazhi Nicepool nga filmi “Deadpool and Wolverine” i vitit 2024, ku luajnë Ryan Reynolds (bashkëshorti i Livelyt) dhe Blake Lively. Baldoni pretendon se ky personazh është përdorur për ta “ngacmuar dhe tallur” atë në mënyrë publike.

“Marvel” ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën Federale të New Yorkut për ta shfuqizuar thirrjen zyrtare të paraqitur nga kompania e Baldonit, “Wayfarer Parties”. Në një letër drejtuar gjykatësit Lewis J. Liman, “Marvel” kërkoi gjithashtu një urdhër mbrojtës për të ndaluar shpërndarjen e dokumenteve konfidenciale të kompanisë nga palët e përfshira në proces.

“Në të kundërt, Marvel kërkon që gjykata ta shtyjë afatin për kthimin e dokumenteve dhe kërkesave të lidhura derisa të merret vendim mbi kërkesën për hedhjen poshtë të padisë ndaj Ryan Reynoldsit”, theksohet në dokumentet ligjore të siguruara nga revista People.

Ndërkohë, pala e Baldonit i është kundërvënë kësaj lëvizjeje të “Marvelit”, duke e akuzuar kompaninë për mosbashkëpunim gjatë bisedimeve lidhur me dokumentet që kërkohen. 

“Ne tentuam në mirëbesim t’i adresonim shqetësimet e ‘Marvelit’ për konfidencialitetin dhe rëndësinë e dokumenteve, por përfaqësuesi i ‘Marvelit’ na ndërpreu dhe refuzoi diskutimin”, kanë deklaruar avokatët e Baldonit.

Personazhi Nicepool, që interpretohet nga Ryan Reynolds, e përshkruan veten si “feminist” në film dhe e quan karakterin e Blake Livelyt, Ladypool, “e mrekullueshme”. Baldoni pretendon se përmes këtyre përshkrimeve është nënkuptuar denigrimi i tij në kontekst të një konflikti personal dhe profesional.