Showbiz

Filmat që befasuan arkat filmike që para Krishtlindjes

"Avatar 3", "Anaconda", Marty Supreme"

"Avatar 3", "Anaconda", Marty Supreme"

Një valë e dytë filmash festivë ka hyrë në kinematë e Amerikës së Veriut ditën e Krishtlindjes, mes tyre “Marty Supreme” dhe “Anaconda” nga “A24”, rikrijim  me tone komike nga gjiganti Sony, me aktorët Jack Black dhe Paul Rudd.

“Marty Supreme”, me aktorin Timothée Chalamet në rolin e një kampioni të pingpongut të viteve ’50 që është gati të bëjë gjithçka për suksesin, kishte bërë bujë që nga fundjava e kaluar me një mesatare rekord prej 145.913 dollarësh për kinema në vetëm gjashtë salla në New York dhe Los Angeles, performanca më e mirë në historinë e A24 dhe më e forta për një film që nga La La Land në vitin 2016. Me një buxhet që shkon nga 60 deri në 70 milionë dollarë, ky është filmi më i shtrenjtë që ka realizuar ndonjëherë studioja.

Të dy filmat u shfaqën fillimisht para Krishtlindjes. “Anaconda” arkëtoi rreth 2.1 milionë dollarë, ndërsa Marty Supreme 2.01 milionë. Ani pse “Anaconda” pritet të jetë më komercial dhe të arrijë mbi 20 milionë dollarë gjatë fundjavës katërditore festive, kritikat nuk kanë qenë në favor të tij, filmi ka aktualisht 44 për qind vlerësim negativ në “Rotten Tomatoes”. Në krahasim, “Marty Supreme” ka një vlerësim shumë të lartë prej 95 për qind nga kritikët.

Për The Hollywood Reporter, kritiku David Rooney e cilëson “Marty Supreme” si rishpikje të komedisë sportive. Ai vlerëson regjinë e Josh Safdiet dhe performancën energjike të Chalametit, duke e përshkruar filmin si një përzierje mes “Uncut Gems” dhe “Catch Me If You Can”. Në film luajnë gjithashtu Gwyneth Paltrow, Odessa A’zion dhe Tyler, the Creator.

Chalamet ka qenë jashtëzakonisht aktiv në promovimin e filmit, deri në atë pikë sa më 22 dhjetor u bë personi i parë që u ngjit mbi strukturën ikonike “The Sphere” në Las Vegas. Ai madje realizoi edhe një video të inskenuar Zoom me ekipin e marketingut të “A24”, ku propozonte ide gjithnjë e më absurde promovimi, disa prej të cilave u realizuan, si balona gjigante e portokalltë me titullin e filmit dhe ndriçimi me ngjyrë të portokalltë  të Empire State Building për premierën në New York.

Pyetja kryesore për “Marty Supreme” mbetet nëse filmi do të arrijë të depërtojë te publiku i gjerë, përtej audiencës tipike të filmave artistikë.

Ndërkohë, “Anaconda”, sipas vështrimit të Angie Han për The Hollywood Reporter, nuk arrin potencialin e tij, pavarësisht kastit të njohur. Filmi ndjek një ekip xhirimi që shkon në Amazon për të realizuar filmin përfundimtar për një gjarpër gjigant, por kritikat e kanë cilësuar si zhgënjyes.

Fituesi i madh i sezonit festiv mbetet “Avatar 3”, i cili ditën e Krishtlindjes kaloi shifrën e 500 milionë dollarëve globalisht. Vetëm të mërkurën, filmi arkëtoi 10.7 milionë dollarë në Amerikën e Veriut, duke arritur në 129.2 milionë dollarë total. Jashtë SHBA-së, shtoi edhe 11 milionë dollarë të tjerë, përfshirë 71 milionë nga Kina, duke e çuar totalin global në rreth 483 milionë dollarë deri të mërkurën dhe mbi 500 milionë në ditën e Krishtlindjes.

Edhe “Zootopia 2” nga “Disney Animation” po vazhdon të performojë fuqishëm pas debutimit në Ditën e Falënderimeve, duke ndihmuar “Disneyn” të kalojë për herë të parë që nga viti 2019 shifrën prej 6 miliardë dollarësh në shitje globale biletash.

Në renditjen ditore, filmi fetar “David” nga “Angel Studios” u rendit i treti me 2.6 milionë dollarë, pasuar nga “The SpongeBob Movie: Search for SquarePants” dhe “The Housemaid”, me nga 1.8 milionë dollarë secili.

Pasi Krishtlindje qëlloi në të enjten, pronarët e kinemave përfituan nga fundjava e gjatë dhe jashtëzakonisht fitimprurëse, pasi fundi i vitit konsiderohet periudha më e fortë për shikimin e filmave, me shkollat të mbyllura dhe shumë njerëz pushim nga puna.