Showbiz

Marion Cotillardi thotë se e kanë lënduar komentet për pamjen e saj

Marion Cotillard

Marion Cotillard

Foto: Associated Press

Aktorja Marion Cotillard është lënduar nga komentet për pamjen e saj nga njerëzit që nuk e njohin.

49 vjeçja ka theksuar se po ndihet e gjykuar gjatë tërë kohës nga njerëz të huaj dhe po mundohet që të mos e lë vetën të ndikohet nga kjo gjë, por se ndonjëherë po e ka të vështirë të përballet me negativitetin.

“Gjatë gjithë kohës gjykohem nga njerëz që nuk më njohin mua. Gjykimi është diçka shumë e madhe në jetën time”, ka thënë ajo për The Sunday Times.

Ylli ka shtuar se mendon që nuk duhet të lëndohet nga njerëzit që nuk i njeh, por gjykohet gati për çdo gjë.

“Për mënyrën se si vishem, si e bëj grimin, flokët. Për mënyrën se si sillem kur nuk jam në disponim të mirë, por dikush të pengon e ti i thua: ‘më lër rehat’ dhe këto të lëndojnë”, ka thënë ajo.

Fituesja e çmimit “Oscar” ka cituar aktorin e ndjerë Robin Williams, i cili bëri vetëvrasje në vitin 2014.

“Robbie Williams ka një thënie shumë të bukur. Ai ka thënë se duhet ‘të jemi të sjellshëm me njerëzit sepse nuk e dimë nëpër çfarë po kalojnë’. Të gjithë kalojmë nëpër situata të vështira pa treguar se sa e vështirë është në të vërtetë”, ka thënë ajo.

Cotillard është nënë e dy fëmijëve, djalit Marcel dhe vajzës Louise, të cilët i ka me ish-partnerin Guillaume Canet, me të cilin është ndarë më herët gjatë këtij viti, pas gati dy dekadash bashkë.

Gjatë intervistës, aktorja ka insistuar se po mundohet të bëjë më të mirën që fëmijët të qëndrojnë të sigurt nga rrjetet sociale.

“Djali im është 14 vjeç. Ka filluar t’i eksplorojë rrjetet sociale dhe se mënyra se si merren informacionet si dhe lajmet e rreme janë tema shumë të mëdha në familjen tonë. Nuk mund të besosh çdo gjë sepse mund të të lëndojë shumë. Në Francë njerëzit janë shumë paragjykues e tash edhe bota është ashtu çdo ditë e më shumë dhe kjo është një çështje për të cilën dua të jem shumë e kujdesshme me fëmijët e mi”, ka thënë ndër të tjera aktorja.