Ikona e muzikës pop, Madonna, ka thënë se është mrekulli që është ende gjallë, pas gjendjes së rëndë shëndetësore që pati gjatë qershorit, raporton FemaleFirst.
Ajo përgjatë asaj periudhe kishte shkuar në spital të trajtohej për shkak se vuante nga një infeksion bakterial që e la pa ndjenja.
Superylli po fliste për shëndetin e saj gjatë një koncerti në Antwerp të Belgjikës.
“Më pak se katër muaj më parë, isha në spital dhe isha e pavetëdijshme, dhe njerëzit ishin duke bërë parashikime se mund të mos ia dilja mbanë. Pra, është një mrekulli që jam këtu tani”, ka thënë ajo.
Mbretëresha e muzikës u shpreh falënderuese së i është dhënë edhe një shans për të jetuar.
Madonna u shfaq në turin e saj muzikor në hapësirën “O2 Arena” në Londër më 14 tetor dhe kishte thënë se nuk ishte rikuperuar ende.
Edhe
Madonna beson se ka folur me Zotin
“Duhet t'ju them se nuk ndihem shumë mirë tani, por nuk mund të ankohem sepse jam gjallë. Faleminderit Zotit për fëmijët e mi dhe të gjithë juve për dashurinë dhe mbështetjen tuaj, unë e vlerësoj me të vërtetë atë", ka thënë 65-vjeçarja.
Pasi që u zgjua kur ishte në spital, Madonna kishte shkruar disa fjalë në rrjetin social Instagram.
“Mendimi im i parë kur u zgjova në spital ishin fëmijët e mi. Mendimi im i dytë ishte se nuk doja të zhgënjeja askënd që blinte bileta për turneun tim. Gjithashtu nuk doja t'i zhgënjeja njerëzit që punuan pa u lodhur me mua gjatë muajve të fundit për të krijuar shfaqjen time. Urrej të zhgënjej këdo. Fokusi im tani është shëndeti im dhe po forcohem dhe mund t'ju siguroj, do të kthehem me ju sa më shpejt që të mundem!”, ka shkruar ajo në atë kohë.