Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Madonna paditet nga fansat, doli në skenë dy orë pasi nisi koncerti

Këngëtarja me famë botërore, Madonna, është paditur nga dy fansa, të cilët e akuzuan se u vonua të ngjitej në skenë përgjatë koncertit, ndërkohë që ata kishin për të dalë në punë të nesërmen herët, raporton “The Guardian”.

Në padinë e fansave Michael Fellows e Jonathan Hadden, që u dorëzua të mërkurën në gjykatën shtetërore të Brooklynit, thuhet se ata kanë blerë biletat më 31 dhjetor për një koncert që ishte në kuadër të turneut të Madonnas, “Celebration”.

Sipas padisë, kjo shfaqje duhej të fillonte në orën 8 e 30 të mbrëmjes, por këngëtarja 65 vjeçe u ngjit në skenë për të performuar pas orën 10 e 30.

Pasi koncerti kishte përfunduar, paditësit u ankuan se kishin problem me trafikun duke u vonuar për të shkuar në shtëpi pasi nuk kishte qarkullim të mjaftueshëm të transportit publik, si dhe çmime më të larta për transport.

Ata gjithashtu kanë thënë se mbarimi vonë i koncertit ka bërë që ata të mos kenë mundësi t’i kryejnë si duhet obligimet e tyre familjare.

Vonesat nëpër koncerte nuk janë fort të rralla pasi vet Madonna edhe në vitin 2019 ishte paditur për një rast të tillë, pasi që një fans nga Florida e akuzoi se vonesa e saj në turneun “Madam X” ishte “shkelje e kontratës”.
Për vonesa në koncert Madonna ishte paditur edhe nga dy fansa në New York në vitin 2020. Të dy këto padi më vonë ishin tërhequr nga paditësit.