Showbiz

Macaulay Culkin reagon ndaj lajmit për ribërjen e “Home Alone”

Si një djalë i vogël, Macaulay Culkin i fitoi zemrat e shikuesve në mbarë botën kur u shfaq në filmin "Home Alone", i cili shikohet tradicionalisht çdo Krishtlindje që nga transmetimi i tij i parë deri më sot.

Disney së fundmi e paralajmëroi rimejkun e një versioni të ri të këtij filmi, ndërsa Culkin postoi reagimin e tij në Twitter.

Filmi i parë dhe origjinal "Home Alone" u xhirua në vitet 1990 dhe e pati premierën për Krishtlindje, shkruan KOHA Ditore. Përmes rolit të Kevin McAllister, Culkin u bë i popullarizuar ndërsa tani ka vendosur të reagojë ndaj lajmeve për versionin e ri të këtij filmi.

38-vjeçari Culkin në Twitter e postoi një foto ku ai është i ulur në një divan me laptop në prehër. Ai e ka një shirit në kokë, pantollona të shkurtra dhe një nën këmishë të vogël, ndërsa pranë tij ndodhen pjatat me ushqim.

"Kështu duket versioni i ri i 'Home Alone"", u tall ai në përshkrim, duke e taguar Disneyn, dhe duke shtuar se duhet ta thërrasin atë.

Nuk dihet shumë se çfarë do të sjellë rimejku i filmit, si dhe kush do të mund ta luante djaloshin Kevin apo hajdutët e famshëm Wet Bandits, por adhuruesit e filmit me siguri po e presin me padurim përvojën e re festive të Disneyt.