Showbiz

Lopez e Affleck ndodhen “në një periudhë shumë të mirë”

Jennifer Lopez dhe Ben Affleck

Jennifer Lopez dhe Ben Affleck

Foto: Associated Press

Burime pranë ish-çiftit të njohur të Hollywoodit, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck kanë treguar se ata “janë në një periudhë shumë të mirë” pas divorcit të tyre, i cili u finalizua në muajin janar të këtij viti.

Ata, që dikur ishin një nga çiftet më të përfolura të showbizit, u fejuan për herë të parë në vitin 2002, por u ndanë në 2004. U ribashkuan në vitin 2021, u martuan në 2022, u ndanë sërish në 2024 dhe divorci u bë zyrtar në fillim të 2025-s.

Në premierën e filmit të tyre të ri “Kiss of the Spider Woman”, më 6 tetor në New York, Lopez dhe Affleck u panë në marrëdhënie miqësore, por sipas burimeve, rikthimi romantik nuk është më në planet e tyre.

“Jennifer po kalon mirë. Ajo është e përqendruar te gjërat që e bëjnë të lumtur, familja dhe puna. Gjithmonë i ka pëlqyer të punojë me Benin, dhe kjo s’ka ndryshuar. Nuk ka asnjë rikthim romantik mes tyre. Ata janë në një gjendje shumë të mirë dhe vazhdojnë të mbështesin njëri-tjetrin. Të dy janë krenarë për atë që kanë arritur bashkë”, ka thënë një burim i afërt me çiftin për revistën People.

Disa ditë më parë, një tjetër burim ka thënë për Page Six se ata pëlqehen shumë më shumë në mes vete kur nuk janë të martuar.

“E pëlqejnë shumë më tepër njëri-tjetrin kur s’janë të martuar. Secili ka rolin e vet, ajo është diva madhështore dhe e bukur që qëndron në piedestal, ndërsa ai është tipi rebel që e mban në distancë për të ruajtur tensionin romantik. Sa kohë që luajnë këto role, janë perfektë. Por sapo provojnë të jenë diçka më shumë, veçanërisht diçka e zakonshme si bashkëshortë, gjithçka shkon keq”, ka thënë burimi.

Filmi “Kiss of the Spider Woman” është prodhuar nga Affleck përmes kompanisë së tij “Artists Equity” dhe e sjell Lopezin  në rolin kryesor si Ingrid Luna, e njohur edhe si Spider Woman.

Sipas IMDb, filmi tregon historinë e Valentín, një të burgosuri politik, që ndan qelinë me Molinan, i dënuar për sjellje të pahijshme publike. Një lidhje e papritur lind mes tyre ndërsa Molina i rrëfen historinë e një mjuzikëlli të Hollywoodit me Ingrid Lunan në rolin kryesor.

Në premierë, Affleck e lavdëroi ish-bashkëshorten e tij për performancën e saj të jashtëzakonshme.

“Ajo është e mrekullueshme në film. Mezi pres që publiku ta shohë. Jam po aq krenar për këtë film sa për çdo tjetër ku kam marrë pjesë. Jennifer ka punuar jashtëzakonisht shumë. Që në fillim ishte e përkushtuar ta jepte maksimumin dhe e bëri. Në film shihen të gjitha talentet e saj, ajo është rritur duke parë mjuziklle klasike”, ka thënë ai për Extra.

Ndërsa Lopez, në një intervistë për emisionin Today, ia ka dhë Affleckut meritën për realizimin e projektit.

“Nëse s’do të ishte Beni, ky film s’do të ishte bërë kurrë. Dhe për këtë, do t’ia jap gjithmonë meritat”, ka thënë ajo.