Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lopez dhe Affleck shkëlqejnë në premierën e filmit “The Tende Bar”

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i kinematografisë, Ben Affleck, u shoqërua nga e dashura e tij, Jennifer Lopez, në premierën e filmit të ri “The Tender Bar” në Los Angeles.

Çifti i njohur i showbizit shkëlqeu në paraqitjen e radhës publike, duke e rrëmbyer gjithë vëmendjen mediale në këtë ngjarje glamuroze.

Ben dhe JLo dukeshin të mahnitur dhe të dashuruar marrëzisht në njëri-tjetrin, teksa pozuan para fotografëve mbi qilim të kuq.

Regjisori i filmit, George Clooney, nuk ishte i pranishëm në premierë gjë që ia mundësoi Affleckut të tregojë se sa shumë e kishte ngacmuar miku i tij, gjatë xhirimeve të filmit.

“Ai vazhdonte t’i reklamonte çmimet e shumëfishta ‘Burri më seksi në botë’. Ai mendon se ato janë shpërblime dhe jo tituj. Por po i lë shakatë anash, George është një burrë i mrekullueshëm, rrëfyes i mirë tregimesh dhe një regjisor i jashtëzakonshëm, sidomos për aktorët e tij. Bashkëpunimi me të ishte dhuratë e çmuar. Ai më të vërtetë u tregua zemërgjerë në mënyrën se si më ndihmoi me këtë performancë, duke më dhënë këshilla të vlefshme. E gjithë eksperienca ishte fantastike” tha Affleck për gazetarët.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe aktorët tjerë të filmit, Tye Sheridan dhe Lily Rabe, të cilët patën shumë lëvdata për kolegët dhe filmin në përgjithësi.

“Unë rashë në dashuri me skenarin dhe pastaj e lexova librin me kujtime mbi të cilin bazohet filmi. Dhe ishte një ndihmë e madhe për mua si aktore, të bazohesha në këto dy shkrime të jashtëzakonshme me të filluar xhirimet”, deklaroi aktorja Lily Rabe.

Edhe George Clooney e ndoqi premierën londineze të filmit “The Tender Bar” Showbiz George Clooney e ndoqi premierën londineze të filmit “The Tender Bar”

“I gjithë ekipi i filmit është i mrekullueshëm, përfshirë këtu djaloshin e vogël, Daniel Ranieri. Ky ishte filmi i tij i parë dhe ai është një talent i jashtëzakonshëm. Mendoj se ai është ylli i vërtetë i filmit” përfundoi Sheridan.

Filmi “The Tender Bar” e sjell yllin hollywoodian George Clooney në rolin e regjisorit. Ai e rrëfen historinë e një të riu i cili dashurinë prindërore dhe udhëzimin për jetë, e gjen tek xhaxhai i tij Charlie i portretizuar nga miku dhe kolegu i kamotshëm i Clooneyt, Ben Affleck.

“The Tender Bar” bazohet në librin me kujtime të autorit J.R. Moehringer dhe pritet të lansohet nëpër kinema të limituara nga 17 dhjetori, para se të fillojë së transmetuari në platformën digjitale “Amazon Prime”, më 7 janar të vitit 2022.