Këngëtarja 40-vjeçare Lily Allen ka folur hapur për fundin e martesës së saj me aktorin e serialit “Stranger Things”, David Harbour, një temë që ajo e ka trajtuar drejtpërdrejt në albumin e saj të vlerësuar nga kritika, të publikuar në muajin tetor të vitit të kaluar.
Megjithatë, ajo ka pranuar se kishte frikë se si do të pritej nga publiku ky album, të cilin e përshkruan si shumë “të zemëruar”.
Në një intervistë për ELLE UK, Lily ka treguar se albumi u krijua gjatë një periudhe shumë të vështirë emocionale për të.
“Isha duke përpunuar gjëra që po ndodhnin në një periudhë mjaft traumatike. Nuk mendoj se është një album shumë vetëdijesues. Është një album shumë i zemëruar. Ka shumë më tepër të bëjë me inatin e drejtuar ndaj njerëzve të tjerë. Nuk është aq për vetë-reflektim”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se procesi i shkrimit e kishte mbushur me ankth për reagimin që mund të vinte më pas.
“Kur e shkrova këtë album, kalova rreth tetë muaj duke qenë absolutisht e tmerruar për atë që do të kthehej drejt meje”, ka rrëfyer Allen.
Këngëtarja e hitit “The Smile” ka shpjeguar se puna në këtë album e ndihmoi të kuptojë se shprehja e zemërimit nuk është domosdoshmërisht diçka negative.
“Mendoj se nëse kam mësuar diçka për veten nga kjo përvojë, është se zemërimi është i fuqishëm dhe i domosdoshëm, dhe nuk është patjetër diçka e keqe për t’u shprehur. Në fakt, zemërimi i shtypur mund të jetë edhe më i dëmshëm”, është shprehur ajo.
Lily ka treguar gjithashtu se albumi ka prekur shumë gra që kanë kaluar situata të ngjashme në jetën e tyre personale.
Këngëtarja e “Not Fair”, e cila ka dy vajza, Ethel 14 vjeçe dhe Marnie 13 vjeçe, nga martesa e saj e parë me Sam Cooper, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë nga prindërit e shokëve të fëmijëve të saj gjatë ndarjes së vështirë nga Harbour.
“Ata ishin aty kur unë isha në një gjendje shumë të rëndë. E shihnin sa e lodhur dhe e tërhequr isha bërë, sa shumë kisha rënë në peshë dhe sa e trishtuar isha”, ka kujtuar ajo.
Sipas saj, kishte momente kur dhimbja ishte aq e madhe, sa nuk arrinte as të përballej me njerëzit.
“Vinin për t’i marrë fëmijët pas lojërave dhe unë nuk zbrisja poshtë. Isha në dhomën e gjumit duke qarë. Prandaj mendoj se tani që albumi ka dalë, ata janë të gjithë të lumtur për mua”, ka përfunduar Lily Allen.