Libri brutalisht i sinqertë i këngëtares Britnaye Spears, thuhet se do ta shokojë publikun anembanë botës.
Ylli 41-vjeçar i muzikës pop është duke punuar me shkrimtarin, Sam Lansky, në realizimin e një libri, i cili do të zbulojë shumë paqartësi nga jeta e saj si superyll i muzikës pop, jeta problematike personale dhe sfidat që erdhën me kujdestarinë ligjore e cila për 13 vjet rresht ia mori të drejtën këngëtares të çdo kontrolli mbi angazhimet dhe financat e saj.
Sipas gazetës “New York Post”, libri me kujtime është në fazat përfundimtare të rishikimit, përpara se të publikohet në vjeshtën e këtij viti.
“Libri i Britneyt është një histori triumfi. Do të fokusohet në momentet më të cenueshme të jetës së saj, duke filluar nga fëmijëria, të qenit një vajzë e vogël me ëndrra të mëdha, ndarja e saj me Justin Timberlake, krizat mendore dhe momenti kur ajo rruajti kokën si dhe betejën e vazhdueshme me familjen e saj rreth kujdestarisë ligjore. Është gjithashtu një histori mbijetese, teksa ajo e gjen rrugën për të ikur nga kontrolli total i familjarëve, drejt gjetjes së lumturisë me bashkëshortin e saj, Sam Ashgari. Libri i këngëtares është brutalisht i sinqertë dhe gjithçka buron nga zemra e saj. Nuk ka lënë asgjë pa e përmendur. Është me të vërtetë një histori e fuqizimit të gruas dhe e zbulon se si ajo arriti ta rifitojë kontrollin mbi jetën e saj”, deklaroi një burim i afërt me Spearsin.
Një tjetër person shtoi se libri parashikohet të shndërrohet menjëherë në best-seller dhe se do ta shokojë botën.
Libri do të publikohet nga shtëpia botuese “Simon and Schuster”, kjo pasi ylli i hitit “Toxic” e nënshkroi një marrëveshje fitimprurëse me kompaninë e cila besohet se e kap vlerën prej 15 milionë dollarësh.
Besohet se ka qenë një luftë e madhe ofertash nga shtëpi të ndryshme botuese, ku përfundimisht triumfoi kompania “Simon & Schuster”. Ndërkaq, kjo konsiderohet një nga marrëveshjet më të mëdha të botimit të një libri, pas çiftit presidencial Barack dhe Michelle Obama.
Spears në një postim të kaluar në Instagram e kishte përshkruar procesin e shkrimit të këtij libri, si një eksperiencë shëruese për mendjen dhe zemrën e saj.
Ndërkohë, këngëtarja e famshme amerikane i ka bashkuar forcat me ikonën britanike të muzikës, Elton John, për rikthimin e saj në skenën muzikore. Ata e sollën bashkëpunimin “Hold Me Closer”, një version i ripërpunuar i hitit klasik të Johnit, “Tiny Dancer.” Kënga e shënon lansimin e parë të pop këngëtares, prej përfundimit të kujdestarisë ligjore ndaj saj që zgjati për 13 vjet.