Televizioni BBC e ka lansuar trailerin e sezonit të gjashtë dhe të fundit të serialit hit, “Peaky Blinders”, duke paralajmëruar skena me armë, gjakderdhje dhe fillimet e Luftës së Dytë Botërore.
Aktori Cillian Murphy rikthehet në rolin e protagonistit, Thomas “Tommy” Shelby, një anëtar i dinastisë së fuqishme të krimit “Shelby” që vepron në Anglinë e viteve 1920, pas trazirave ekonomike të Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, heroi i dekoruar i luftës ka ambicie më të mëdha sesa të komandojë rrugët e Birminghamit.
Anya Taylor-Joy, Tom Hardy, Paul Anderson, Finn Cole dhe Sophie Rundle, rikthehen me rolet e tyre edhe në sezonin e fundit të serialit, kurse ende nuk dihet fati i personazhit Aunt Polly, që në këtë projekt portretizohej nga aktorja e ndjerë, Helen McCrory, e cila vdiq në prill të vitit të kaluar pas një beteje të ashpër me kancerin.
Së fundmi, BBC e bëri të ditur lajmin se “Peaky Blinders” do të përfundojë me sezonin e gjashtë. Në një deklaratë për revistën “Variety”, krijuesi i serialit Steven Knight tha se tregimi i tij do të vazhdojë në një formë tjetër, më saktë në formë të një filmi, xhirimet e së cilit do të fillojnë në vitin 2023.
“Unë do ta shkruaj skenarin e filmit të metrazhit të gjatë, ngjarja e së cilit zë vend dhe do të xhirohet në Birmingham. Dhe ky ndoshta do të jetë përfundimi i rrugëtimit të projektit ‘Peaky Blinders’ siç e njohim ne”.
Ende nuk është bërë e ditur data e lansimit të sezonit të gjashtë të serialit “Peaky Blinders”, por besohet se do të ndodhë gjatë këtij viti.