Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lansohet me sukses bashkëpunimi i ri i Camila Cabellos dhe Ed Sheeranit

Gjatë fundjavës u lansua videoprojekti i ri i këngëtares latine, Camila Cabello. Me titull “Bam Bam”, kënga vjen në bashkëpunim me yllin britanik të muzikës, Ed Sheeran.

Ajo u mirëprit nga fansat e dy artistëve të famshëm duke i marrë më shumë se 8 milionë klikime brenda dy ditëve të lansimit në YouTube, si dhe duke u pozicionuar në maje të platformës muzikore iTunes, në disa shtete përfshirë këtu edhe Amerikës.

“Bam Bam” që është një këngë e cila flet për rimëkëmbjen pas një ndarjeje të dhimbshme, e shfaq stilin e ri të muzikës së Cabellos që do të jetë pjesë e albumit të tretë dhe të shumëpritur nga fansat, “Familia”, i cili lansohet më 8 prill të këtij viti.

Në shkallë globale, kënga e re e dyshes Cabello dhe Sheeran është pozicionuar në vendin e dytë të toplistës “Worldwide iTunes”, duke u bërë kënga e re më e dëgjuar në planet për momentin. Vendin e parë të kësaj liste vazhdon ta ketë dyshja e famshme, Elton John dhe Dua Lipa, me hitin e tyre “Cold Heart”.

Kënga “Bam Bam” duket të jetë mjaft personale për Camilan, e cila para pak muajsh i dha fund lidhjes disa vjeçare me këngëtarin kanadez, Shawn Mendes.

Cabello dhe Sheeran e gëzojnë një karrierë të suksesshme anembanë botës, dhe shquhen për talentin e veçantë në muzikë dhe personalitetin e tyre pozitiv dhe të shoqërueshëm.