Showbiz

Performanca e mesazhe emocionuese të yjeve të muzikës në solidarizim me Ukrainën

Këngëtarët Ed Sheeran dhe Camila Cabello ishin ndër performuesit kryesorë në koncertin humanitar, “Concert For Ukraine“, i cili u mbajt të martën (29 mars) në arenën “Resort World Arena” në Birmingham.

Shou dy-orësh synonte të mbledhë të holla për apelin humanitar të Komitetit Emergjent për Fatkeqësitë në Ukrainë, raportoi të mërkurën portali “NME“.

Dyshja e performoi për herë të parë bashkëpunimin e ri me titull, “Bam Bam”. Kënga e shkruar nga Camila Cabello, Ed Sheeran dhe Ricky Reed, është pjesë e albumit të katërt të incizuar në studio i këngëtares latine, “Familia”, i cili do të lansohet për publikun e gjerë më 8 prill.

Cabello, para se ta prezantonte në skenë mikun dhe bashkëpunëtorin e saj, Sheeran, i nderoi viktimat e luftës në Ukrainë me një fjalim të shkurtër.

“Sonte të gjithë po lutemi për paqe dhe për sigurinë e njerëzve në Ukrainë. Faleminderit shumë të gjithëve që jeni bërë pjesë e kësaj fushate të rëndësishme humanitare. Tani, e kam një befasi për të gjithë ju. Kjo është hera e parë që unë dhe i ftuari im special do ta performojmë këtë këngë së bashku. Le ta mirëpresim në skenë artistin, Ed Sheeran”.

Në fillim të performancës, Cabello po ashtu e interpretoi hitin e vitit 2005 të rok bendit “Coldplay”, me titull “Fix You”. Kurse, Sheeran i performoi dy këngët e tij në versionin akustik, “Perfect” dhe “Bad Habits”.

Ndërkaq, dy yjet amerikan të shpërblyer me “Oscar”, Billie Eilish dhe Finneas, e dhanë një mesazh përkrahjeje në ngjarjen e së martës, “Concert For Ukraine”.

Eilish dhe vëllai i saj u lajmëruan përmes një videolidhjeje, pak para performancës së grupit “Manic Street Preachers”.

“Përshëndetje të gjithëve. Na vjen shumë keq që nuk kemi mundësi të jemi me ju sonte, por sërish, dëshironim që ta ofrojmë dashurinë dhe përkrahjen tonë për të gjithë performuesit e koncertit, por mbi të gjitha duam ta shprehim përkrahjen dhe solidarizimin me miliona njerëz të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftës”, deklaroi Eilish.

Kurse, Finneas e vazhdoi mesazhin duke thënë: “Organizatat që po ofrojnë ndihma humanitare po e bëjnë një punë të rëndësishme, prandaj duam t’i falënderojmë ata dhe të gjithë juve që po dhuroni aq sa keni mundësi, për t’i ndihmuar njerëzit e Ukrainës”.

Në kuadër të koncertit po ashtu performoi, Jamala, këngëtarja ukrainase e cila në vitin 2016 e fitoi festivalin evropian të këngës, “Eurovizion”. Jamala, e cila para dy javëve u detyrua ta braktisë shtëpinë e saj, e dha një performancë emocionuese të këngës fituese, “1944”, teksa gjatë gjithë kohës e mban në duar flamurin e Ukrainës.

Ndër performuesit tjerë të mbrëmjes ishin yjet: Emeli Sandé, Gregory Porter, Nile Rodgers dhe Chic, Tom Odell, Anne Marie, Becky Hill dhe grupi “Snow Patrol”.

Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga ky koncert humanitar, që pritet ta kap shumën prej 3 milionë funte, do t’i dhurohen Komitetit Emergjent për Fatkeqësitë në Ukrainë.