Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Këngëtari ukrainas i shndërruar në ushtar flet për bashkëpunimin me Ed Sheeran

Ylli britanik i muzikës, Ed Sheeran, ka bashkëpunuar me artistin Taras Topolia, vokalist i grupit ukrainas “Antytila”, në realizimin e versionit të ri të këngës së tij, “2step”.

Topolia i ka shtuar disa rreshta të ri mjaft emocional që flasin për luftën me të cilin po përballet populli i tij, si dhe këngës i është realizuar një videoklip i ri i xhiruar në Ukraninë.

Këngëtari i cili aktualisht shërben në vijën e parë të luftës kundër pushtimit rus, e realizoi një intervistë për agjencinë e lajmeve “AP” me ç’rast foli për bashkëpunimin me Sheeranin.

“Vendosa që përmes tekstit të këngës ta shpjegoja ditën e parë të luftës për mua dhe miliona ukrainas”, deklaroi Topolia.

Disa pjesë të videoklipit e shfaqin këngëtarin të mbështetur në një veturë ushtarake gjatë patrullimit, që tani është jeta e përditshme për artistin e shndërruar në ushtar.

Edhe Ed Sheeran publikon videoklipin e xhiruar në Kiev Showbiz Ed Sheeran publikon videoklipin e xhiruar në Kiev

“Ne ishim duke e bërë punën tonë të zakonshme si pjesëtarë të ushtrisë ukrainase, dhe në një moment e ndalëm veturën, morëm kamerën ‘GoPro’ dhe e xhiruam këtë video. U deshën ndoshta 10 ose 15 minuta kohë”.

Image

Ai shpjegoi se ndërkohë që xhirimi i këtij inserti ishte i rrezikshëm, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë ruse, ai e bëri videoklipin më dramatik.

Si baba i tre fëmijëve, Topolia tregoi se ka dashur që klipi i këngës, i cili e paraqet një familje duke ikur nga lufta me veturë, ta rrëfejë historinë e situatës së dhimbshme dhe të vështirë në të cilën gjinden fëmijët ukrainas.

“Ukraina nuk identifikohet vetëm me shkatërrimet dhe luftën e tmerrshme. Ukraina është gjithashtu një vend i mbushur me njerëz të talentuar. Dhe tani, ata fëmijë nuk kanë më mundësi të kërcejnë, të këndojnë, t’i pasurojnë aftësitë e tyre apo edhe të luajnë në këndet e lojërave”.

Grupi “Antytila” krijoi shoqëri me yllin e muzikës pop, Ed Sheeran, përmes rrjeteve sociale. Kjo pasi në muajin prill i kishin shkruar mesazh muzikantit britanik, pak para se të performonte në koncertin bamirës, “Concert for Ukraine”.

Derisa bendi ukrainas nuk pati mundësi ta realizojë ëndrrën e performimit në skenën e këtij koncerti, Sheeran i ftoi pjesëtarët e grupit që ta realizojnë një version remix të këngës “2step”, e cila tashmë është publikuar në platformat muzikore.

Topolia shpjegoi se të shkruash tekste muzikore teksa lufton, nuk është punë e lehtë.

Edhe Muzikantët e luftës Botë Muzikantët e luftës

“Unë e shtyj veten të bëjë diçka kreative sepse situata në të cilën gjendemi nuk është e tillë. Kjo situatë lufte është e tmerrshme. Por unë besoj dhe e di që ajo që po bëjë tani, është se po i mbledh të gjitha emocionet e ndryshme brenda vetes. Kur ta arrijmë fitoren, këto emocionet do t’i shpërndajë përmes këngëve dhe teksteve të tyre. Emocionet e lumturisë dhe një fillimi të ri, emocionet e shtetit të ri, të së ardhmes që do ta ndërtojmë së bashku, unë do t’i ndajë me gjithë botën. Prandaj, albumi ynë i radhës do të jetë i guximshëm dhe frymëzues”.

Për 12 muajt e ardhshëm, të gjitha të ardhurat e mbledhura nga transmetimi i këngës remix, “2 Step”, do të dhurohen për organizatën bamirëse “Music Saves UA”.