Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Kurrë nuk është vonë”: Elizabeth II poston në Instagram

Edhe pse familja mbretërore ka disa vite tani që e ka profilin e vet zyrtar në Instagram, ndërsa anëtarët e familjes nuk lejohen t’i kenë rrjetet e tyre sociale, Mbretëresha Elizabeth II ka vendosur ta bëjë një përjashtim të vogël kur bëhet fjalë për këtë çështje.

Në hap me brezin e ri, mbretëresha 92-vjeçare ka vendosur të provohet vetë në publikimin e përmbajtjes në llogarinë zyrtare të Instagramit të familjes mbretërore, dhe ka postuar foto nga Muzeu i Shkencës të cilin e vizitoi të enjten, shkruan KOHA Ditore.

"Sot e pata kënaqësinë të mësoj diçka për iniciativat për kodimin kompjuterik dhe më duket e përshtatshme që postimin tim të parë në Instagram ta postoj pikërisht në Muzeun e Shkencës, i cili e ka promovuar prej kohësh teknologjinë, inovacionet dhe e ka frymëzuar brezin e ri të shpikësve", ka shkruar mbretëresha në publikimin i cili ishte përgatitur krejtësisht për të, ndërsa e gjitha që ajo duhej ta bënte ishte ta shtypte butonin 'publiko'. Edhe pse edhe vetë nuk ishte e sigurt nëse kishte arritur ta publikonte foton, duartrokitjet që e pushtuan muzeun e siguruan atë që e ka bërë një punë të mirë, ashtu si edhe stafi zyrtar i cili i menaxhon rrjetet sociale mbretërore.