Showbiz

Kidman do të pranojë çmim për arritje jetësore nga Instituti Amerikan i Filmit

Ylli australian i kinematografisë, Nicole Kidman, do të nderohet me çmim për arritje jetësore, të cilin ia ndanë Instituti Amerikan i Filmit. 

Aktorja 55-vjeçare do ta pranojë shpërblimin e 49-të me radhë, “AFI Life Achievement Award”, nderimi më i madh për një karrierë në kinematograf, dhe i cili ka për qëllim t’i festojë arritjet e saj deri më tani. 

“Nicole Kidman e ka magjepsur audiencën për dekada me guximin e artit të saj dhe sharmin e një ikone të ekranit. Ajo është një forcë e natyrës që ka treguar guxim në zgjedhjet e roleve dhe në çdo performancë të saj. Instituti Amerikan i Filmit ka nderin t’ia dhurojë asaj çmimin e 49-të ‘AFI Life Achievement’”, deklaroi Kathleen Kennedy, kryetare i bordit të administrimit të AFI-së.

Kidman, e cila është nominuar pesë herë për “Oscar”, do ta pranojë shpërblimin e saj në një gala mbrëmje të organizuar në teatrin “Dolby” në Los Angeles, më 10 qershor të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ajo do të bëhet australiania e parë që e pranon këtë nderim. 

Në të kaluarën me çmimin për arritje jetësore janë nderuar yjet, Julie Andrews, George Clooney, Jane Fonda, Steve Martin, Mel Brooks, Morgan Freeman dhe të tjerë.

Në vitin 2003, Nicole Kidman, e fitoi një “Oscar” në kategorinë “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin, “The Hours”. Për këtë performancë ajo po ashtu u shpërblye me çmimin “Ariu i argjend” në Festivalin e filmit në Berlin. Ndërkaq, në vitin 2017 në kuadër të Festivalit të filmit në Kanë, ajo u nderua me çmimin e 70-të, “Anniversary Prize”, i cili e nderoi punën e saj dhe historinë e gjatë me këtë festival.