Aktori i njohur Kevin Spacey, fitues i dy çmimeve Oscar, ka siguruar një rol në filmin e ri aksion-triller “The Awakening”, ndërsa vazhdon rikthimin pas shpalljes së pafajshëm në një gjyq penal në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.
Filmi është xhiruar në studion e famshme “Pinewood Studios”, nën regjinë e Matt Routledge, dhe në kast përfshihen aktorët Peter Stormare (“Fargo”, “John Wick 2”), Alice Eve (“Before We Go”), Julian Glover (“Indiana Jones”, “Game of Thrones”) dhe të rinjtë Justin Tinto dhe Matt Hookings.
Roli i Spaceyt në film nuk është zbuluar ende, ka raportuar Variety.
Filmi ndjek historinë e Jasonit (Justin Tinto) dhe Rebeccas (Alice Eve), të cilët zbulojnë një komplot global që i vë përballë një gare kundër kohës për ta shpëtuar botën.
“The Awakening” është në fazën e post-produksionit dhe po prodhohet nga Camelot Films në bashkëpunim me Cloud9 Studios, të cilët këtë muaj do të prezantojnë projektin për shitje ndërkombëtare në festivalin e filmit në Cannes.
Në film luajnë gjithashtu edhe Peter Stormare, 70 vjeç, Steve Berkoff, 86 vjeç, i njohur nga “The Girl with the Dragon Tattoo”, Julian Glover, 89 vjeç, Eddie Hall, 36 vjeç, ish-kampion i “Njeriu më i Fortë në Botë”, i cili u shfaq në “Expendables 4”
Skenari është bashkëshkruar nga Justin Tinto, Matt Routledge dhe Matt Hookings, i cili është edhe producent, së bashku me Tim Kent.
“Të gjithë jemi shumë të entuziazmuar që ‘Cloud9 Studios’ do të sjellë këtë film emocionues në treg. Xhirimet në ‘Pinewood Studios’, me gjithë historinë e saj të pasur, i shtuan dimension intrigues projektit tone. Kombinimi mes një rrëfimi të fuqishëm dhe një vendndodhjeje legjendare ka rezultuar në një film që do të ngjallë interes për publikun që kërkon argëtim emocionues dhe me mendim”, ka thënë Kent.
Ekipi teknik përfshin emra me përvojë të madhe në industrinë e filmit si Chris Gill (montazhi) – i njohur për “28 Days Later” dhe “Kneecap”, Laszlo Bille (drejtor fotografie) – ka punuar në “Blade Runner 2049” dhe “Dune: Part One”, Luke Tumber (koordinatori i skenave të rrezikshme) – ka punuar në “Mission: Impossible – Dead Reckoning” dhe “Venom: The Last Dance”.
Pas shpalljes së pafajshëm në vitin 2023 për nëntë akuza për vepra seksuale, Kevin Spacey ka marrë disa role, kryesisht në projekte evropiane, përfshirë filmat “Control” dhe “Peter Five Eight”.