Showbiz

Këngëtari i grupit “3 Doors Down” zbulon se vuan nga kanceri

Brad Arnold nga grupi "3 Doors Down"

Brad Arnold nga grupi "3 Doors Down"

Foto: Associated Press

Brad Arnold, vokalisti i grupit të njohur amerikan “3 Doors Down”, ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer në veshka në fazën e katërt, një sëmundje që i është përhapur tashmë edhe në mushkëri, ka raportuar BBC.

“Kam karcinomë renale, e cila është përhapur në mushkëri. Dhe kjo është faza e katërt, dhe kjo nuk është aspak gjë e mirë”, ka thënë ai në një video në Instagram.

Arnold, 46 vjeç, shtoi se ka besim te Zoti që ai mund ta mposhtë çdo gjë.

“Por ne i shërbejmë Zotit të plotfuqishëm, dhe ai mund të mposht çdo gjë. Nuk kam frikë. Sinqerisht, nuk kam aspak frikë nga kjo”, ka thënë ai.

3 Doors Down” u bë i njohur në fillim të viteve 2000 me hitin "Kryptonite", i cili u rendit në vendin e tretë në SHBA në vitin 2000. Albumi debutues “The Better Life” ishte ndër më të shiturit atë vit në SHBA, ndërsa këngë si “Here Without You”, “When I’m Gone” dhe “It’s Not My Time” i dhanë sukses të mëtejmë grupit. Ata kanë shitur mbi 13 milionë albume në SHBA dhe kanë performuar edhe në inaugurimin e parë të presidentit Donald Trump në vitin 2017.

“Tani, e ndjej që ‘It’s Not My Time’ është me të vërtetë kënga ime. Do të jetë një betejë, ndaj kemi nevojë për të gjithë që të luteni për ne!”, ka shkruar këngëtari në një përshkrim emocional krahas videos.

Ai ka bërë të ditur se për shkak të gjendjes shëndetësore të tij, grupi do të anulojë turneun e verës.
“Na vjen keq për këtë. Dhe do të doja që sa herë që të mundeni, të më mbani në lutjet tuaja. Mendoj se tani është koha të dëgjoj pak ‘It’s Not My Time’, apo jo?”, ka thënë ylli.

Karcinoma renale është forma më e zakonshme e kancerit në veshka. Kur diagnostikohet në fazën e katërt, kjo do të thotë se sëmundja është përhapur në pjesë të tjera të trupit, si në rastin e Arnold, në mushkëri.